Ish-gjyqtari anglez, Mark Clattenburg, e ka pranuar se e ka akorduar në mënyrë të gabuar golin e parë të Real Madrid në finalen e Champions League kundër Atletico Madrid në 2016. Ishte Sergio Ramos ai që e dërgoi topin në rrjetë pas 30 minutave lojë, por Clattenburg deklaron se ai gol duhej anuluar.
”Në finalen e “San Siro”, Reali shënoi, por goli ishte pozicion jashtë loje. Ne e mësuam pas përfundimit të pjesës së parë. Ishte një situatë e vështirë dhe asistenti im gaboi”, shkruan Mark për “Daily Mail”.
”I dhashë Atleticos një penallti, sapo filloi pjesa e dytë, kur Pepe shkaktoi një faull ndaj Fernando Torresit. Pepe ishte shumë i inatosur dhe më foli anglisht, duke më thënë që nuk ishte penallti. ‘As goli juaj i parë nuk duhej dhënë’ iu përgjigja unë. Aty e mbylli gojën”, kujton anglezi.
“Njerëzit mendojnë se kjo tingëllon e çuditshme, sepse dy gabime nuk bëjnë një vendim të drejtë. Edhe gjyqtarët nuk mendojnë ashtu, por futbollistët po. E dija se duke i thënë ashtu, do ta pranonte vendimin”, shton Clattenburg. /abcnews.al