“Ç’kërkon më Mondi”, Spaho i përgjigjet Salianjit dhe i kujton Babalen: Mos shaj në telefon

schedule14:30 - 2 Tetor, 2021

schedule 14:30 - 2 Tetor, 2021

Edmond Spaho i është përgjigjur deputetit Ervin Salianji për deklaratat që ky i fundit bëri në “Radar Informativ”. “PD i dha gjithçka, çfarë kërkon më Mondi”, tha mbrëmë Salianji, ndërkohë që Spaho iu bashkua “Foltores” së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në një shënim të gjatë në rrjetet sociale, Spaho e cilëson si “Mitrolozin e Partisë”. “Cfarë do tjetër Mondi, pyeti Mitrolozi i Partisë, në 25 vite ka qënë Ministër, Kryetar i FSHF, Nënkryetar i Kuvëndit, Kryetar i Grupit Parlamentar?” Hajde e mos e quaj këtë bunkerizim!!! Sipas Mitrolozit, ne nuk duhet të flasim sepse kemi marrë karrige dhe duhet respektuar kodi i karrikekracisë!!!”, shprehet Spaho ndër të tjera.

Lexo edhe: U bashkua me Berishën, Salianji “shuplakë” Spahos: PD i dha gjithçka, çfarë kërkon më Mondi?

Deputeti zbulon më tej se disa ditë para mbledhjes së fundit të  Këshillit Kombëtar, Basha e ka thirrur në zyrë dhe i ka ofruar dy pozicione në Kuvend dhe Parti, por i ka refuzuar të dyja.

Në fund Spaho ka edhe një këshillë për Salianjin,ndërsa i kujton historinë e ‘Babales’: “Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar ti rregjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën”.

Reagimi i plotë:

Replikë e detyruar me Mitrolozin e Partisë.

Ne Kohën e monizmit në vitet 60-70, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte një kapterr gjoja shkrimtar, të cilin Partia e ndërsente sa herë deshte ti hante kokën ndonjërit. Kaq e madhe ishte paturpësia, egërsia dhe zelli i tij, sa që edhe Kadarenë mund ta nxirrte mediokër dhe antiparti.

Këtë tipin Lazgush Poradeci e quante Mitrolozi i Partisë. Një mitroloz të tille kemi edhe ne në PD.

Dje publikova një status ku ngre shqetësimin tim per gjëndjen katastrofike në të cilen ndodhet PD. U shpreha që PD është bunkerizuar dhe për këtë pranova edhe pergjegjësitë e mija si një nga drejtuesit e saj këto 8 vite, megjithëse nuk kam pasur hapësirë për të ndryshuar gjë.

PD ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht në se dëshëron të fitojë zgjedhjet. Detyrimin për ndryshim dhe fitore e kemi në rradhë të parë për njerëzit në baze të cilët janë pa punë dhe bukë.

Mendimet e mija nuk ua imponoj askujt, kushdo që i lexon të gjykojë sipas bindjeve të tij. Kjo vlen edhe për kolegët e Grupit Parlamentar. Cdo njëri prej tyre të më kritikojë me argumenta, madje ashpër, por pa fyerje dhe denigrime. Fjalen e lirë dhe norma të tjera demokratike po kërkojmë të vendosim në PD.

Cuditërisht, dje në mbrëmje në një stacion televiziv, Mitrolozi i Partisë filloi te mitralojë duke u përpjekur të më ofendojë dhe ulur në sytë e opinionit publik.

“Cfarë do tjetër Mondi, pyeti Mitrolozi i Partisë, në 25 vite ka qënë Ministër, Kryetar i FSHF, Nënkryetar i Kuvëndit, Kryetar i Grupit Parlamentar?”

Hajde e mos e quaj këtë bunkerizim!!! Sipas Mitrolozit, ne nuk duhet të flasim sepse kemi marrë karrige dhe duhet respektuar kodi i karrikekracisë!!!

Mitroloz, për të gjitha arritjet kam investuar energji, profesionalizëm, kohë dhe emocione dhe i kam arritur me konkurim dhe votë. Ne vitin 1997, pasi lashë ministërllëkun, rifillova në PD si sekretar seksioni në lagjen time. Unë vetëm të ndenjurat kam të mijat, karriget janë të institucioneve.

Ty ta kuptoj hallin që ke dhe pse mitralon. Kushedi të ndihmon krahu tjetër dhe të zgjidhet halli.

Për dijeni te opinionit dhe kolegëve të mi në Grupin Parlamentar, disa ditë para mbledhjes së fundit të  Këshillit Kombëtar, Z. Basha më ka thirrur në zyrë dhe më ka ofruar dy pozicione në Kuvënd dhe Parti. Nëpërmjet tyre do të isha edhe anëtar i Kryesisë së Grupit Parlamentar edhe anëtar i Kryesisë së PDSH.

I refuzova të dyja duke i thënë qe do të qëndroj vetëm Deputet. Kërkesës së tij për të konkuruar për anëtar të Kryesisë të PDSH i jam përgjigjur që nuk e kam qëllim në vetvete dhe nuk do konkurroj. Këtë e bëra edhe për të marrë pak përgjegjësi mbi vehte për ku kemi mbërritur në PD.

Edhe nje këshillë të fundit për Mitrolozin. Mund ti vlejë edhe mitralierëve. Kujdes me fjalët sepse nuk janë si qentë që ju fërshëllen dhe i kthen prapa. Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar ti rregjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën.

Të fala!

g.v/abcnews.al