Civici shpjegon faktorët që ‘dobësuan’ euron: Më i prekur është eksporti, mund të ketë edhe rritje çmimesh për shërbimet turistike

schedule14:36 - 22 Qershor, 2023

schedule 14:36 - 22 Qershor, 2023

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici tha se një ndër faktorët që ndikoi në zhvlerësimin e euros ka qenë sasia e madhe e eurove në Shqipëri. Në një intervistë për “Sheshi i Dollarit”, eksperti shtoi se kjo sasi e madhe ka prishur ekuilibrin midis lekut dhe euros, duke çuar në dobësimin e kësaj të fundit.

“Faktori kryesor është sasia e madhe e eurove në qarkullim në Shqipëri dhe kjo nuk erdhi vetëm gjatë muajve të fundit. Në shifrat e publikuara nga Banka e Shqipërisë, që 4-5 vite përpara filloi rritje shumë e madhe e prezencës së euros në tregun shqiptar nga rreth 3.5-4 miliardë euro për të arritur në 2022 dhe krahasimin midis muajve Prill 2022-Prill 2023 rreth 8 milardë euro transaksione të kryera në Shqipëri. Çka tregon se brenda një periudhe 4 vjeçare kemi dyfishim të sasisë së euros ndërkohë që masa monetare në lekë për arsye që rritjen ekonomike dhe produktitetin që ka Shqipëria, nuk mundet dhe nuk është rritur në ato përmasa që të mund të përballojë këtë ekuilibër.”, tha Civici.

Eksperti shtoi se sasia e shtuar e euros ka ardhur nga remitancat e emigrantëve, të ardhurat nga turizmi në një kohë kur turistët e huaj janë shtuar ndjeshëm, nga përmirësimi i bilancit tregtar, nga të ardhurat që vijnë nga investimet e huaja por gjithashtu edhe nga Eurobondi i ri që ka marrë qeveria.

I pyetur se cili është sektori që është prekur më së shumti nga rënia e euros, Civici tha eksporti. Ai shtoi se zhvlerësimi i euros rrezikon gjithashtu që të rrisë çmimet e disa shërbimeve turistike për shkak se edhe prania e turistëve në vendin tonë është gjithmonë edhe më e madhe.

“Janë disa efekte negative dhe poziitive. Tek efektet negative, të ardhurat nga remitancat për famikjet shqiptare që konsumin e kanë në lekë dhe të ardhurat në euro, fuqia e tyre blerëse bëhet më e vogël. Gjithaashtu depozitat që kanë në euro bëhet më e vogël. Për momentin, goditja më e madhe është në sektorët e eksporteve se kanë bërë kontrata më afatgjata dhe zor të ndryshojnë çmimet e shitjes së produkteve. Së dyti pothuajse 100 përqind e shpenzimeve të tyre është në lekë dhe me një lek të fortë, reflektohet në të ardhura më të pakta që marrin nga eksportet. Ka edhe një efekt statistikor sepse ne llogarisim në lekë importet dhe eksportet. Dhe nëse nuk kanë ndryshuar në sasi, konvertimi i euros në lek e ul vlerën e eksporteve në përgjithësi. Ka efekte pozitive në rastin ku një kategori individësh, biznesesh që kanë kredi në euro kjo është një lehtësim për të shlyer në kosto më të ulët në këstet e kredisë.“, tha Civici./abcnews.al