Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media tha se kjo forcë politike po merr të dhëna pozitive nga vëzhguesit e saj nga terreni lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të sotme.
Çitaku theksoi se po presin me durim rezultatet. “Tani, të gjitha votat e qytetarëve ndodhen në kutitë e votimit dhe ftojmë të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që të numërojnë saktë secilën votë. Sot ishte dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të komunave”, tha Çitaku.
Ajo u shpreh gjithashtu se sipas informacioneve të marra nga vëzhguesit PDK-së, rezultatet e para janë shumë pozitive dhe shumë inkurajuese për këtë parti.
“Tani presim konfirmimin zyrtar nga Komisoni Qendror i Zgjedhjeve”, u shpeh ajo.
Çitaku nuk pranoi të komentonte të dhënat e exit poll-eve. “Me tërë respektin dhe konsideratën maksimale, nuk do t’i komentoj Exit Poll-et e ndryshme. Duhet të presim numërimin e votave”, tha Çitaku.