Çitaku: Alarmuese nëse Kurti kthehet nga SHBA pa takuar zyrtarë të lartë

schedule17:24 - 11 Maj, 2022

schedule 17:24 - 11 Maj, 2022

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, vlerëson se është alarmuese nëse kryeministri Kurti e përfundon vizitën në Amerikë pa asnjë takim të nivelit të lartë shtetëror. Çitaku në një bisedë për Gazetën Express u shpreh se deri tani vizita e shefit të qeverisë në SHBA ka qenë e zbehtë.

Nënkryetarja e PDK-së thotë se për t’u pritur në Shtëpinë e Bardhë, Departament të Shtetit apo Pentagon duhet të kesh agjendë konkrete.

Kryeministri Albin Kurti ka nisur vizitën e tij të shumëpritur zyrtare në Amerikë. Ai udhëtoi përtej Atlantikut të premten, por s’ka njoftuar se sa ditë do të qëndrojë atje.

Më herët, Kurti kishte thënë se do të qëndrojë 10 ditë apo dy javë kur ta vizitojë ShBA-në.

Por për ish-shefen e misionit diplomatik të Kosovës në Ëashington DC, Vlora Çitaku, vizita e deritanishme në SHBA e kreut të qeverisë ishte e zbehtë.

“Deri më tani po bëhen një javë, një vizitë shumë e zbehtë e kryeministrit Kurti në ShBA. Nuk është e rëndomtë që një kryeministër i një vendi të shkojë në një vizitë në SHBA ta quajë atë vizitë pune. Janë bërë më shumë se një vit që Kurti është në krye të qeverisë dhe ende s’ka pasur takim me Sekretarin e Shtetit apo të Mbrojtjes apo në Shtëpi të Bardhë dhe kjo duhet të na shqetësojë”, tha ajo.

Çitaku tha se do të donte që Kurti të kishte një vizitë më substanciale dhe më domethënëse në Amerikë pasi sipas saj as kryeshefat ekzekutivë të kompanive teknologjike s’e kanë pritur në takim.

“Kryeministri mund të shkojë edhe në pushim në SHBA është në rregull por një vizitë si kjo nuk mund të quhet vizitë pune, madje edhe takimet që ishin në Kaliforni me tech-kompanitë unë nuk pashë që kishte takime me kryeshefat ekzekutivë të këtyre kompanive jam kurreshtare ta di se kush e ka pritë nga këto kompanitë. Kjo nuk më bën të lumtuar gjithsesi, do të doja që kryeministri të ketë një vizitë më substanciale dhe më domethënëse”, tha Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së tha se as kompanitë lobuese nuk do t’i ndihmonin Kurtit që të realizonte takime të nivelit të lartë në DC.

Sipas saj, në Shtëpinë e Bardhë, Departament të Shtetit apo në Pentagon të presin nëse ke agjendë konkrete për të diskutuar.

“Në këto vitet e fundit, kompanitë lobuese e kanë humbur fuqinë dhe relevancën që e kanë pasë më herët mirëpo në Shtëpinë e Bardhë, në Departament të Shtetit apo në Pentagon pritesh kur ke agjendë konkrete, nuk të pret Sekretari i Shtetit e as i Mbrojtjes për kurtoazi janë njerëz shumë të zënë mirëpo duhet të kesh një plan, një agjendë, një ofertë konkrete për ta diskutuar”, tha ajo për Gazetën Express të mërkurën.

Më tej, ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, shtoi se nëse kryeministri Kurti përfundon vizitën në Amerikë pa takuar Sekretarin e Shtetit, atë të Mbrojtjes apo pa takime në Shtëpinë e Bardhë atëherë është alarmuese për të gjithë.

“Nuk e di edhe sa ditë i kanë mbetë në ShBA kryeministrit Kurti, unë shpresoj që të ketë takime të nivelit të lartë, por nëse kthehet nga SHBA-të pas më shumë se 10 ditësh dhe nuk ka asnjë takim me Sekretarin e Shtetit, të Mbrojtjes apo në Shtëpinë e Bardhë ky do të duhej të ishte një alarm për të gjithë ne” , tha Çitaku.

Teksa po kalon dita e pestë e vizitës në SHBA, deri më tani në kryeqytetin amerikan, Kurti ka takuar kryeshefen ekzekutive të MCC-së, Alice Albright me të cilën ka biseduar për Negociatat e Programit të Kompaktit për Kosovën.

Ai ka udhëtuar për në Kaliforni dhe po qëndron në Luginën e Silikonit, aty ku ndodhen kompanitë gjigande teknologjike.

Kryeministri Kurti ka qëndruar në ambientet e disa prej këtyre kompanive siç janë Linkedin, Uber, Microsoft, AirBnb, të cilët i ka ftuar që të investojnë në Kosovë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!