Nga Cristina Marrone, Corriere della Sera
E gjithë bota shkencore, kompanitë farmaceutike dhe qeveritë janë të angazhuara për të gjetur një vaksinë efektive të koronavirusit sa më shpejt me investime prej miliarda dollarësh. Por ekziston një mundësi e dytë, që nuk është shumë e popullarizuar, domethënë që asnjë vaksinë të mos prodhohet kurrë. Në vend që ta zhdukim virusin nga faqja e dheut me një injeksion, hipoteza është që të mësohemi të jetojmë me të, nëse jo përgjithmonë, të paktën për një kohë të gjatë. Sot, edhe për shkaqe ekonomike, i jepet jehonë e madhe lajmeve për testimet e vaksinave. Njoftimet për çdo hap të vogël në rrugën për të imunizuar botën ndodhin përditë: aktualisht janë 101 eksperimente në zhvillim. Shumë ekspertë konsiderojnë seriozisht mundësinë që mund të mos kemi një zgjidhje. Ose ka më shumë të ngjarë që t’a kemi, por jo aq shpejt sa mund të presë dikush. Ka ndodhur edhe më parë.
Vështirësitë
Në dallim nga HIV dhe malaria, që pësojnë mutacione të mëdha, ky detaj i bën shkencëtarët të shpresojnë. Anthony Fauci, kreu i grupit të Shtëpisë së Bardhë flet për 18 muaj. Shkencëtarët e tjerë janë më të kujdesshëm sepse po flitet për sisteme biologjike, jo mekanike, dhe shumë gjëra varen nga mënyra se si reagon organizmi. Në procesin e prodhimit, pjesa më e vështirë është të tregosh që vaksina funksionon dhe është e sigurt: nuk mund të rrezikosh të injektosh diçka që në vend që të mbrojë trupin, të shkaktojë dëme të tjera, raporton abcnews.al
Mekanizmat për prodhimin e vaksinës janë të larmishme, ka faza të ndryshme testimi dhe sigurisht përfundimi i hulumtimit në një vit e gjysmë do ishte një sukses i parealizuar kurrë më parë. “Janë 100 projekte në studim me teknika të ndryshme, secila ka avantazhet dhe dizavantazhet. Ne nuk e dimë nëse dhe cili kandidat do të arrijë rezultatin e dëshiruar,” thotë Sergio Abrignani, imunolog i Patologjisë Shtetërore në Milano. “Në botën normale duhen pesë deri në dhjetë vjet, me një mesatare prej tetë, për të pasur një vaksinë. Sipas eksperiencës sime, pavarësisht të gjithë shkurtesave të nevojshme, do të jetë e vështirë të kemi një vaksinë pa kaluar dy vite, nëse duam të jemi të sigurt për dy gjëra themelore: Sa e sigurt është dhe sa imunitet sjell?
Kur dëgjoj për një vaksinë të gatshme në shtator, kjo është fantashkencë për mua dhe do të doja të isha i gabuar”. Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që qeveritë të marrin në konsideratë planin B: bashkëjetesën e gjatë me virusin.
Çfarë ndodh kur vaksinat nuk funksionojnë?
Në vitin 1984, kur në Uashington u njoftua se ishte zbuluar një virus i ri, i njohur si HIV, Sekretarja e Shëndetit e asaj kohe, Margaret Heckler parashikoi se vaksina do ishte e gatshme për testim brenda dy vitesh. Sot, 32 milionë të vdekur më pas, bota ende po e pret vaksinën. Vështirësitë janë të natyrshme me këtë virus, i cili ndryshon vazhdimisht, madje edhe gjatë një infeksioni të vetëm, raporton abcnews.al
Për fat të mirë, Covid-19 nuk duket se i ka këto karakterisstika dhe kjo i bën ekspertët më optimistë. Sëmundje të tjera kanë dhënë probleme me vaksinën. Mes viteve 2015 dhe 2016 u njoftua se ishte prodhuar vaksina për virusin Dengue, një sëmundje që vret rreth 400 mijë njerëz në vit, por në vitin 2017 u pezullua sepse u zbulua se simptomat e sëmundjes u përkeqësuan. Për të pasur një vaksinë të variçelës u deshën 28 vite, për virusin e papijomës u deshën 15.
Vaksinat kundër rinovirusëve të zakonshëm, sikundër ndaj koronavirusëve, nuk janë prodhuar dhe tregtuar kurrë. Deri më tani nuk është testuar kurrë një vaksinë kundër një koronavirusi: ajo kundër SARS u braktis gjatë testimeve sepse sëmundja u zhduk brenda disa muajsh. Në çdo rast, SARS dhe SARS-CoV2 ndajnë 80 përqind të trashëgimisë gjenetike dhe lidhen në të njëjtën mënyrë me një receptor specifik të vendosur në qelizat e mushkërive. Kjo shpjegon se pse shkencëtarët përparuan në fazat e hulumtimit kaq shpejt. Ata kishin një avantazh të vogël.
Fazat e prodhimit
Roben van Exan, biolog qelizor, që ka punuar në sektorin e vaksinave për dekada, parashikon se nuk do ketë një miratim përpara viteve 2021-2022, sërish me një probabilitet shumë të ulët. Si rregull, studiuesit kryejnë kontrolle shumë të rrepta sigurie përpara se të testojnë vaksinat eksperimentale. Në fazën e parë testohet te një duzinë njerëzish, më pas në fazën 2 te qindra dhe mijëra në fazën 3.
Zakonisht kalojnë muaj nga njëra fazë në tjetrën në mënyrë që studiuesit të rishikojnë rezultatet. Është e qartë se për të pasur një vaksinë brenda 18 muajsh, duhen djegur fazat. Nëse një vaksinë është efektive në provat e para, autoritetet shëndetësore mund të pranojnë përdorimin në faza urgjente, për disa mjekë dhe infermierë kjo mund të ndodhë para fundit të vitit pasi studiuesit e Oksfordit njoftuan se po studiojnë vektorët viralë. Sidoqoftë, vetëm pas qindra vaksinimesh, studiuesit do jenë në gjendje të tregojnë nëse vaksina e përshpejtuar ka efekte anësore, raporton abcnews.al
Prodhimi i vaksinës
Pasi të gjendet një vaksinë funksionale, kompanitë duhet të prodhojnë miliona, ndoshta miliarda doza, përveç vaksinave të tjera që prodhohen çdo vit. Kompanitë normalisht ndërtojnë struktura të posaçme për çdo vaksinë dhe zakonisht duhen rreth 5 vite për t’i ndërtuar sepse duhen ndjekur udhëzime të rrepta. Në këtë drejtim, fondacioni Bill dhe Melinda Gates kanë njoftuar se do ndërtojnë shtatë fabrika për shtatë lloje të ndryshme vaksinash, që të mos humbasin kohë. Por detyra e prodhimit i bën shkencëtarët që të kalojnë net pa gjumë. Edhe futja e vaksinës në flakonë kërkon kohë. Për t’i mbushur me saktësi duhen makineri të sofistikuara. Pasi të jenë gati, duhet të ruhen, transportohen dhe shiten në temperatura të rregullta, raporton abcnews.al
Edhe faza e miratimit të vaksinës nuk është thjesht një formalitet. Autoritetet duhet të jenë të sigurta se vaksina është efektive duke e analizuar në hollësi. Nëse fazat e ndryshme mund të përshpejtohen, vetëm faza e miratimit mund të zgjasë deri në një vit. Historia për fat të keq na mëson se njeriu duhet të jetë i kujdesshëm. Në vitet ’50, një vaksinë poliomeliti e prodhuar dobët, u aprovua brenda disa orësh. Ajo përmbante një version të virusit që nuk ishte plotësisht i vdekur dhe pacientët u sëmurën nga poliomeliti. Disa fëmijë vdiqën.
Plani B
Nëse vaksina nuk gjendet shpejt, ka shumë të ngjarë që SARS-CoV2 të na shoqërojë për shumë vite dhe ne duhet të jetojmë me një sëmundje që nuk mund të eliminohet. Falë antiviralëve, HIV është bërë një sëmundje kronike dhe nuk është më një dënim me vdekje, siç ishte në vitet ’80. Shkencëtarët po ashtu po punojnë për të gjetur një kurë për Covid-19 me ilaçe të vjetra dhe të reja, por studimet janë në fazat e para dhe në shumë raste jemi duke punuar me prova empirike në këtë fushë, raporton abcnews.al
Ne po studiojmë përdorimin e ilaçit Remdesivir, trajtimet me plazmën e gjakut, hidroksiklorinën, e cila duket se shkakton probleme në zemër. Megjithatë mungojnë studimet e kontrolluara dhe problem do të jetë sërish prodhimi në shkallë të gjerë. 271 terapi janë në studim, por më pak se 10 përqind e provave klinike janë aprovuar në SHBA. Pjesa tjetër dështon; ose ilaçet nuk janë efektive, ose kanë shumë efekte anësore.
Të bashkëjetosh me virusin gjithashtu do të thotë të ndryshosh jetën tënde. Vendosja e maskës nuk do jetë aq e pazakontë, njësoj si mbajtja e celularit me vete. Një kollë mund të shihet si një kërcënim. Amash Adalja nga Qendra Universitare ‘John Hopkins’ thotë se tetori 2020 do jetë shumë ndryshe nga tetori 2019. Skenarët e mundshëm janë të shumtë: nga një projeksion prej qindra-mijëra vdekjesh deri në gusht, deri në valë të zgjatura dhe të ashpra deri në një normalitet të ri, me shpërthime të Covid-19 për të paktën dy vjet. Në terma afatshkurtër, asgjë nuk do jetë si më parë./abcnews.al