Teologu Ermir Gjinishi, i ftuar në studion e “Provokacija” me gazetarin Mustafa Nano tha se, fetarët në Shqipëri devijojnë dhe deformojnë sjelljen e njerëzve që frekuentojnë kultet. Sipas Gjinisht, sfida e fesë qëndron se sa ajo e shfaq modelin e saj, dhe se tek disa prej fetarëve shqiptarë ka parë se nuk përcjellin zërin e fesë.
Pjesë nga biseda në studio:
Ermir Gjinishi: Në shqiptarët kemi arsye për të bërë debate ku fetarët të jenë prezent, jo vetëm për të shkuarën por edhe për rolin që ka në shoqëri feja. Pra një imam duhet të marrë pjesë sa më shumë në studio televizive. Ajo që vë re është se shpesh herë imamë apo klerikë nuk vijnë aty për të thënë zërin e fesë. Ne kemi rënë në qorrsokak sepse Islami është një. Ne të gjithë kemi mënyrën se si i qasemi Islamit, ne jemi ndjekësit e Islamit, por nuk jemi fytyra reale e Islamit. Islami është gjë tjetër. Ne kemi nevojë të bëjmë këtë diferencë.
Mustafa Nano: Të gjithë muslimanët që takoj janë muslimanë të ndryshëm, si e shpjegoni këtë ?
Ermir Gjinishi: Ju mendoni se të gjithë gazetarët janë si ju? Ajo që duhet të dallojmë është se sa e kanë kuptuar fetarët të vërtetën e fesë, çështja e të cilës është sfidë shumë e madhe. Por a po krijon feja modelin e saj të fetarit në shoqëri? Këtu qëndron sfida. Unë mendoj se ka shumë punë për të bërë në lidhje me këtë.
Mustafa Nano: Ka disa klerikë që janë të pranishëm në jetën publike, dhe janë të pranishëm si imamët dhe priftërinjtë. Në të njëjtën kohë ata luajnë edhe funksione laike ose politike shpesh herë, sillen si politikanë, kam parë priftërinj që janë agresiv në opinionet e tyre, ndërsa Imamët janë paksa më të kujdesshëm, por kam përshtypjen se ndaj edhe janë më të rrezikshëm, se e maskojnë mirë anën politike.
Ermir Gjinishi: Ata nuk janë të rrezikshëm, por rreziku qëndron në paaftësinë, pamundësinë, mungesën e dëshirës që këta njerëz kanë për tu përballur me njeriun ndryshe, mendimin ndryshe me kritikën. Ajo që i çon njerëzit përpara është kritika. Ne duhet të përballemi me njerëzit që kanë mendimin ndryshe, nuk ka rëndësi shumë se sa objektiv apo subjektiv është.
Mustafa Nano: Çfarë thonë muslimanët për ty?
Ermir Gjinishi: Nuk kam qenë kurrë i interesuar për të ditur se çfarë mendon një musliman, dhe një jo musliman për mua, sepse unë marrëdhënien time fetare e kam shumë intime. Unë jam xheloz dhe nuk futem fare në këtë pjesë, se kështu e mendoj, dhe kështu është. Marrdhënia e njeriut me zotin është thellësisht intime dhe personale. Në momentin që prodhon pushtet mediatik, me këtë lloj marrëdhënie, fillon mban leksione, kjo është një fasadë që klerikët nuk duhet të bien pre. Na mungon zëri i klerikëve, si klerikë nëpër media, po jemi të tejmbushur me klerikë që vijnë në media për të folur gjithçka, por vetëm për fenë jo.
Mustafa Nano: Pashë në youtube një video ku ishte një moment ku Elvis Naçi ishte diku edhe kishte njerëz aty që donin ta takonin, ishte dikush që e shoqëronte aty dhe tha: jepi dorën tani këtij njeriu se nuk ju vjen më ky rast. Unë u shokova.
Ermir Gjinishi: Problemi nuk është me njeriun është me idetë. Këto ide ekzistojnë, nëse nuk i kemi ne i ka dikush tjetër. Muçi duhet falenderuar se del dhe i bën publike, por edhe Elvisi duhet falenderuar se i bën publike. Çështja është, kur një njeri paraqitet si një klerik, të gjithë e shikojnë si një klerik, dhe nëse sjellja ose produkti i tij nuk ka lidhje me të qenurit klerik, atëherë njerëzit kanë gjithë të drejtën e zotit të krijojnë pikpyetjet e tyre. Unë jam kritik me këtë, një imam apo një prift mund të merret me çfarëdolloj pune, po kur vjen puna që të japë një opinion, ai nuk mund të dalë jashtë kontekstit të tij doktrinar./abcnews.al