Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi ka shënuar 2 gola në ndeshjen e Kupës së Turqisë. 28-vjeçari ishte vendimtar në fitoren që Akhisaspor arriti ndaj Kasimpasa.
Sokol Cikalleshi vazhdon të shënojë në Turqi. Sulmuesi i kombëtares kuqezi u transferua në merkaton e Janarit tek skuadra e Akhisasport, një lëvizje që i garantoi 28-vjeçarit rolin e titullarit.
Sulmuesi kavajas realizoi një dopietë personale në ndeshjen e Kupës së Turqisë, ku Akhisarsport fitoi me shifrat 3-1 përballë Kasimpasa. Goli i parë për Cikalleshin erdhi në minutën e 41. Sulmuesi shtatlartë fiton duelin me mbrojtësin kundërshtar duke realizuar një gol mjaft të bukur me kokë.
Gjithsesi futbollisti i kombëtares nuk ndalet me kaq pasi në fillimin e pjesës së dytë realizoi një gol të mrekullueshëm duke marrë edhe duartrokitjet e publikut vendas. Dy golat e tij e ndihmuan skuadrën e Akhisaspor që arriti një fitore me mjaft peshë.
Forma e mirë që po kalon Cikalleshi është një lajm pozitiv edhe për kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjeve eliminatore të Euro 2020 që do të startojnë në muajin Mars./abcnews.al