Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA (CIA) po bashkëpunon me shërbimin turk të inteligjencës (MIT) për të ngritur një prani ajrore të maskuar në Republikën Turke të Qipros Veriore, me qëllim mbikëqyrjen e aktiviteteve në Lindjen e Mesme, raporton portali francez Intelligence Online.
Sipas burimeve të portalit, plani përfshin blerjen dhe modifikimin e rreth 12 avionëve transportues C-130 Hercules që do të përdoren pa shenja identifikimi dhe për operacione të fshehta. Avionët, të blerë përmes ndërmjetësve dhe kompanive “guaskë”, pritet të stacionohen në bazën ajrore Geçitkale në Qipro të Veriut — zonë ku Turqia ka tashmë praninë e dronëve Bayraktar TB2 për mbrojtjen e interesave energjetike në Mesdhe.
Burimet theksojnë se C-130 janë të përshtatshëm për operacione të tilla për shkak të përdorimit të tyre të gjerë në aviacionin civil dhe ushtarak, gjë që ndihmon në fshehjen e origjinës së misionit. Flota e modifikuar pritet të shërbejë për transport personeli të specializuar, pajisje zbulimi dhe komunikimesh të sigurta, si dhe për operacione të tjera të fshehta që lidhen me mbledhjen e informacionit dhe misione ajrore të drejtuara nga Air Branch i CIA-së.
Analistët që citohen nga Intelligence Online paralajmërojnë se një bazë e tillë do të krijonte një prani të përhershme të padukshme të aktorëve perëndimorë dhe turq në Mesdhe, me ndikim të drejtpërdrejtë në monitorimin e vendeve si Libani dhe Siria — rajone ku interesat e sigurisë janë të larta.
As CIA, as MIT nuk kanë komentuar zyrtarisht raportimin. Intelligence Online thotë se informacioni u bazua në burime të brendshme dhe në dokumente të operacioneve të inteligjencës, ndërsa çështja mbetet e ndjeshme për shkak të natyrës së misioneve të fshehta dhe implikimeve diplomatike në rajon.

