Chrissy Teigen ka gjetur një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimin e Jack, foshnjës që humbi pak javë më parë. Modelja ndau një foto në rrjete sociale, kapur për dore me bashkëshortin John Legend duke vënë në pah tatuazhin me emrin e Jack. Ylli televiziv ndau lajmin e trishtë në fillim të Tetorit, dhe pasi qëndroi për pak kohë larg mediave sociale, shkroi një deklaratë në të cilën rrëfente këtë përvojë të vështirë në jetën e saj.
Modelja tregoi se u shtrua në spital pas gjakderdhjes së vazhdueshme dhe transfuzioneve të shumta të gjakut dhe u diagnostikua me shkëputje të pjesshme të placentës, duke shtuar më tej se mjeku i kishte thënë se ishte “koha për t’i thënë lamtumirë” vogëlushit.
“Pas disa netëve në spital, mjeku më tha saktësisht atë që e dija se do vinte – ishte koha për t’i thënë lamtumirë. Ai thjesht nuk do t’i mbijetonte kësaj, dhe nëse do të vazhdonte më gjatë, edhe unë nuk do të mbijetoja.”, tha modelja.
Teigen më tej reagoi ndaj kritikave me të cilat është përballur pas publikimit të fotove të Jack, teksa përshkroi se si ajo kishte kërkuar që Legend dhe nëna e saj të bënin fotografi për të dokumentuar lindjen “pa marrë parasysh sa e pakëndshme ishte”, edhe pse ata e dinin se fëmija i tyre nuk do të mbijetonte. /abcnews.al