Chollet: Zgjedhjet në veri duhet të shtyhen

schedule23:39 - 8 Dhjetor, 2022

schedule 23:39 - 8 Dhjetor, 2022

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i tha Zërit të Amerikës se zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë me udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.

Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi, mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”, tha Chollet.

Zyrtari i lartë amerikan tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Kosovë, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, është shumë i përfshirë.

“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten [e Kosovës, Vjosa Osmani] dhe kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurti] derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara”, tha Chollet.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Zgjedhjet në katër komunat e Kosovës, të banuara me shumicës serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë caktuar që të mbahen më 18 dhjetor.

Zgjedhjet u shpallën pas largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në veri, për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Por, në ditët në vijim, veriu është përballur me incidente me armë zjarri dhe granata dore, teksa autoritetet zgjedhore po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhje.

Më 6 dhjetor, zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, u sulmuan “me mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore”, teksa policia po shoqëronte zyrtarët zgjedhorë në këto zyra në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Zyra e demoluar e KQZ-së në Mitrovicën e Veriut. 7 dhjetor 2022.

Shpërthime ka pasur edhe më 7 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, ndërkaq të enjten është raportuar për tentim-grabitje të Bankës Kombëtare të Serbisë në Leposaviq.

Autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar incidentet si “sulme terroriste”, teksa janë duke pritur vlerësimin e organeve të sigurisë për të vendosur më pas nëse do të shtyhet mbajtja e zgjedhjet në veri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!