Chollet telefonon Kurtin, i kërkon që të pranojë propozimin evropian

schedule22:47 - 24 Janar, 2023

schedule 22:47 - 24 Janar, 2023

Këshilltari në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin kosovar, Albin Kurtin. Siç ka bërë me dije ai përmes Twitter-it, Chollet i ka kërkuar Kurtit që Kosova të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

”Fola me @albinkurti sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.

“Ne diskutuam gjithashtu për rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në kontekstin e Dialogut me Serbinë dhe nevojën që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”, ka shkruar Chollet në një tjetër reagim.

Kujtojmë që të hënën presidenti serb Aleksandar Vuçiç theksoi se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës nuk ka folur ende për këto zhvillime të reja në raport me planin franko-gjerman.

 

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!