Chollet kërkon “angazhim urgjent” në dialogun Kosovë-Serbi

schedule08:13 - 19 Shtator, 2023

schedule 08:13 - 19 Shtator, 2023

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar me presidenten e Kosovës për angazhimin në dialogun për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për “nevojën për të shtensionuar situatën” në veri të Kosovës.

Chollet, së bashku me të dërguarin e Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u takuan me Osmanin në Nju Jork.

“Një bisedë e mirë me presidenten Vjosa Osmani për zotimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për nevojën për të shtensionuar situatën dhe për angazhimin urgjent në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që lehtësohet nga BE-ja – që është kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin drejt BE-së”, shkroi Chollet në X, që më herët njihej si Twitter.

Ndërkaq, Osmani tha se gjatë takimit në SHBA – ku ajo po zhvillon takime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – theksoi rëndësinë e “një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve” të arritura në kuadër të dialogut.

“Roli i SHBA-së është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes së ndërsjellë”, shkroi Osmani në X.

Ky takim mes Osmanit dhe zyrtarëve të lartë amerikanë vjen një javë pasi në Bruksel, rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi përfundoi pa ndonjë rezultat.

Pas takimit më 14 shtator, nga BE-ja thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Më 18 shtator, kryeministri Kurti akuzoi për “njëanshmëri” Lajçakun, i cili sipas tij, “u pozicionua” kundër Kosovës.

Kurti tha se ai në Bruksel ka paraqitur një plan të tij për zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj, për të cilat Kosova dhe Serbia u pajtuan më herët gjatë këtij viti. Por, ky plan, sipas tij, u refuzua nga Serbia dhe BE-ja.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Kurti tha se plani i propozuar nga ai për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, ishte “propozim konkret, shumë konstruktiv, që bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes”. Ai tha se gjithëpërfshirja është edhe në këtë marrëveshje dhe në aneks, ku thuhet se “çdo nen i Marrëveshjes Bazë duhet zbatuar dhe palët nuk duhet të shprehin pengesa për asnjë nen”.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Ky proces mbështetet nga SHBA-ja.

Rundi i fundit i dialogut njëherësh përbënte takimin e parë mes Kurtit dhe Vuçiqit, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, që dolën nga zgjedhjet e prillit – votime të bojkotuara nga partitë dhe popullata serbe.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të ulin tensionet dhe që të mbahen zgjedhje të reja. Kosova ka thënë se ka ulur praninë policore në veri dhe ka ndërmarrë hapa ligjorë që do të mundësonin largimin e kryetarëve përmes peticionit. BE ka mirëpritur këto hapa, por ka thënë se duhet bërë më shumë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!