Mund të kishte shkuar edhe më mirë, por në fund të ditës ishin rezultate të pritshme. “Blutë” e Chelsea nuk kanë shkuar më shumë se barazimi, 2 me 2, ndaj “Bletëve” të Brentford, në “shtëpinë” e këtyre të fundit, ndërsa “Të Kuqtë” e Liverpool kanë fituar jo me pak vështirësë, në fushën e Nottingham Forest.
Kështu, në “Brenftord Community Stadium”, djemtë e Mauricio Pochettino nuk kanë arritur të ruajnë rezultatin, pas golit të minutës së 35’-të, të senegalezit, Nicolas Jackson, duke pësuar dy gola të shpejtë, në minutën e 50’ e të 63’-të, me anë të Roerslev Rasmussen e Yoane Wissa, gola të cilët fatmirësisht nuk i shkaktuan humbjen “Bluve”, kjo për shkak të francezit, Axel Disasi, i cili barazoi shifrat në minutën e 83’-të, për t’i shpëtuar 1 pikë skuadrës së Chelsea.
Në krahun tjetër, “Të Kuqtë” e Liverpool ishin “zotërit”, në “City Ground”, mirëpo Omobamidele e Murillo ishin goxha në formë, teksa arritën të frenonin për plot 99 minuta “furinë” e djemve të Jurgen Klopp, me këta të fundit, që sërish ia dolën të fitonin, teksa në “frymën e fundit” të lojës, “bomberi” uruguajan, Darwin Nunez shfrytëzon një pasim perfekt të Mac Allister, për të dërguar topin në rrjetën e Sels.
Falë këtyre rezultateve, “Të Kuqtë” e Liverpool vijojnë të mbeten në vendin e parë të tabelës, edhe pas javës së 27-të të Premier League, kësaj radhe, me 63 pikë, 4 më shumë se “Qytetarët” e City, që të dielën do të ndeshen me “Djajtë” e United. Në krahun tjetër, Chelsea mbetet në vendin e 11-të me 36 pikë, Brentford në të 15-tin me 26 pikë, ndërsa Nottingham në vendin e 17-të, me 24 pikë. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLAT:
BRENTFORD 2 – 2 CHELSEA
NOTTINGHAM FOREST 0 – 1 LIVERPOOL