Pasditen e nesërme, “blutë” e Chelsea do të përballen me skuadrën e Nottingham Forest, në ndeshjen që do të zhvillohet në “Stamford Bridge”, të vlefshme për javën e 36-të të Kampionatit anglez të futbollit, Premier League.
Në kuadër të kësaj përballje, ditën e sotme u mbajt dhe konferenca për shtyp, në të cilën i pranishëm ishte dhe anësori ukrainas, i transferuar te “blutë” gjatë merkatos së dimrit, Mykhailo Mudryk, i cili në fillim të fjalës së tij foli për përshtatjen e tij te “blutë”.
“Më pëlqen shumë të punoj nën trajnerë kaq të mirë. Dhe më pëlqen të luaj me lojtarë kaq të mirë dhe cilësorë. Ndjehem sikur po rritem çdo ditë dhe jam i kënaqur që e kuptoj këtë. Kemi shumë gjëra të mira përpara”,- u shpreh ukrainasi.
Më tej, Mudryk u ndal dhe te fitorja 1 me 3 e javës së shkuar në transfertën e Bournemouth, fitore ku në të cilën, Mudryk dështoi sërish të ishte një ndër protagonistët.
“Një fitore shumë e rëndësishme për klubin, ekipin dhe tifozët. Ne duhet të vazhdojmë kështu dhe të mbajmë këtë nivel sepse Chelsea është një klub i madh. Ne duhet vetëm të fitojmë, ne jemi gjithmonë të synuar drejt saj”,- tha anësori i sulmit.
Në përfundim të fjalës së tij, talenti ukrainas përmendi dhe këngën që fansat e Chelsea i kanë kushtuar atij, ku nuk munguan as falenderimet e përzemërta drejt tifozëve.
“E dëgjova. Është gjithmonë bukur ta dëgjosh këtë këngë, e vlerësoj. Më pëlqen të jem pjesë e Chelsea. Është mirë që fansat më duan. Më jep emocione të forta. Faleminderit shumë”, tha Mudryk. /i.m /abcnews.al