Chelsea bën gati “thesin” për merkaton e verës, “bomberi” i Serie A në shënjestrën e “bluve”

schedule16:49 - 2 Mars, 2023

schedule 16:49 - 2 Mars, 2023

Shifra faraonike prej 326 milionë eurosh e shpenzuar vetëm në merkaton e dimrit, nga Presidenti i Chelsea, Todd Boehly, duket se nuk është asgjë krahasuar me investimet që manjati amerikan pritet të bëjë në merkaton e verës.

Sipas mediave italiane, bordi i “bluve” është në kërkim të një sulmuesi natyral, i cili mund të sjellë sërish “gola” në “Stamford Bridge” dhe emri më i përfolur në media është nigeriani i Napoli, Victor Osimhen, me Presidentin Todd Boehly, që është i gatshmë t’i paguajë lojtarit dyfishin e pagës së tij aktuale, teksa kujtojmë se nigeriani te Napoli fiton 4.5 milionë euro në vit.

Mirëpo, Chelsea nuk është i vetmi ekip i interesuar për shërbimet e “bomberit” 24-vjeçar, me “djajtë e kuq” të Manchester United, që prej kohësh janë në ndjekje të nigerianit.

Problem gjithashtu do jetë edhe shifra e “majme” që Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis kërkon, ku deri më tani bëhet fjalë për 120-130 milionë euro, për nigerianin Victor Osimhen, i cili vetëm në Kampionatin italian ka tundur rrjetën plot 19 herë dhe ka dhuruar 3 asistime, në vetëm 20 ndeshje. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!