Chelsea, Arsenal, Eintraht Frankfurt dhe Valencia kalojnë në gjysmëfinale

schedule11:57 - 19 Prill, 2019

schedule 11:57 - 19 Prill, 2019

Janë përcaktuar 4 skuadrat gjysmëfinaliste të Europa League. Chelsea, Arsenal, Eintraht Frankfurt dhe Valencia ia dolën të kalonin më tej dhe tashmë do të luajnë gjithçka për të prerë biletën për në finale.

Napoli zhgënjen ndaj Arsenalit edhe në ndeshjen e kthimit çka i kushton eleminimin nga Europa League. Të besuarit e trajnerit Karlo Ançeloti u mundën edhe në ndeshjen e kthimit me rezultatin minimal 1-0. Bardhekalereit nuk arritën të shënonin as golin e nderit, ndërkohë që ishte skuadra e fundit italiane që ishte ende në lojë në Kupat e Europës. Lakazete vendosi fatet e takimit pasi ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Goli i dha qetësi Arsenalit që administroi lojën deri në fund.

Chelsea rrezikoi shumë, por në fund u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Europës. Blute e Londrës fituan me rezultatin 4-3 ndaj Slavia Prage, ndërkohë që në takimin e parë patën siguruar një fitore minimale 1-0. Në minutën 17, Chelsea shënoi tre gola. Miqtë ngushtojnë diferencën me Tomas por Pedro shënon të katërtin për londinezët. Avantazhi i thellë i Chelseat e uli ndjeshëm ritmin e lojës nga vendasit, ndërkohë që përfituan miqtë ku shënuan dy gola në harkun kohor të tre minutave me sulmuesin Peter Sevik. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim rezultati dhe Chelsea kalon në gjysmëfinale.

Eintraht Frankfurti përmbysi humbjen e ndeshjes së parë në transfertën e Benfikas. Gjermanët fituan pastër  2–0 takimin e kthimit çka i siguroi kalimin në turin tjetër. Një gol në secilën pjesë mjaftuan për Frankfurtin që është i vetmi ekip gjerman që vijon garën në Ligën e Europës.

Në takimin tjetër mes Valencias dhe Villareal nuk pati surpriza me vendasit që fituan me shifrat 2-0 duke kaluar në turin tjetër.

Në gjysmëfinale skuadra e Chelseat do të përballet me Eintraht Frankfurt, ndërkohë që Arsenal ndaj spanjolleve të Valencias.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!