Champions League ka pak pikëpyetje dhe sonte do të marrin fund të gjitha, sa u takon katër prej grupeve. Gjithçka nis prej orës 18:55, kur Lazios i mjafton një pikë kundër Clubb Brugge për t’u kualifikuar në raundin tjetër të këtij kompeticioni. Gjithsesi italianët janë të karikuar, pasi belgët nëse fitojnë ua marrin vendin e dytë.
Takimi tjetër i këtij grupi luhet në Rusi, aty ku Zeniti i eliminuar vihet përballë Borussia Dortmund. Gjermanët do tentojnë vendin e parë në grup dhe normalisht do të bëjnë më të mirën në fushë për t’ia arritur këtij qëllimi. Më pas, në orën 21:00, ka edhe sfida prestigji.
Kryesorja është Barcelona-Juventus, me katalanasit që e kanë fituar ndeshjen e parë 2-0 dhe për bardhezinjtë vendi i parë në grup është një mision i vështirë. Një triumf 0-3 në këtë transfertë duket një utopi. Të gjithë normalisht do të duan të shohin Messin e Ronaldon në fushë.
Në këtë grup ende nuk është vendosur skuadra që shkon në Europa League. Dynamo Kyiv-Ferencvaros është një finale, në të cilën në fushë do të jetë edhe Myrto Uzuni. Sulmuesi shënoi në kampionat në fundjavë dhe do kërkojë të realizojë edhe sonte.
Interesante situata në grupin H, ku PSG, Manchester United dhe RB Leipzig kanë nga 9 pikë. Francezët, nisur nga përballjet direkte, mjaftojnë të marrin një pikë në shtëpi kundër Basaksehir dhe sigurojnë kualifikimin, kurse në Gjermani do të luhen një finale, me Leipzig që ka si opsion vetëm fitoren, pasi United e ka fituar sfidën e parë me rezultat të thellë.
Në grupin E çështja e kualifikimit është mbyllur, pasi Chelsea dhe Sevilla i kanë siguruar vendet e para. Anglezët e mbyllin rrugëtimin në grupe me një ndeshje kundër rusëve të Krasnodar, ndërsa Sevilla luan në Francë ndaj Rennes. /abcnews.al