Champions, Real do “biletën”/ Madrilenët, sonte në “Bernabeu” ndaj Man. City

schedule10:00 - 19 Shkurt, 2025

schedule 10:00 - 19 Shkurt, 2025

Do të duhet një paraqitje si kjo atëherë. Ishte viti 2020, dhe pandemia e Kovidit ende nuk i kishte zbrazur stadiumet, kur Mançester Siti arriti një fitore të madhe në “Santiago Bernabeu”.

Ishte dueli i parë i raundit të dytë në Champions, dhe “qytetarët” u kualifikuan pasi fituan edhe në “Etihad”, dhe pikërisht kjo ndeshje do të merret si shembull nga Pep Guardiola për të vetët, për duelin e sotëm.

Kampionia e Anglisë luan në orën 21:00 sfidën e dytë të plej ofit, gjithnjë në Champions, ndaj Realit, dhe disfata 2-3 në Angli do të thotë thuajse eliminim. Vetëm një paraqitje e madhe do t’i ndihmonte anglezët.

Guardiola nuk do të ketë mbrojtësin Akanxhi, por Grilish, Ake dhe Ruben Dias janë kthyer normalisht në stërvitje. Haland po ashtu pritet I gatshën, Marmush duhet të luajë titullar pas shkëlqimit në fundjavë, dhe De Brujne e Bernardo Silva e patën një pushim në Premier Ligë.

Gjithsesi, trajneri katalanas luan rolin e “viktimës”.

“Ndoshta mund të them se kemi vetëm 1 për qind mundësi për kualifikim. Humbja në ndeshjen e parë na prish shumë punë. E dimë se do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Nuk mund të parashikoj sesi do të shkojë, por do ta provojmë deri në fund që të kuaifikohemi. Të shohim nëse do t’ia dalim”.

Po Reali?

Trajnerit Karlo Ançeloti i kthehet nga dëmtimi Rydiger që duhet të luajë titullar. Lukas Vaskez po ashtu është në ekip, por Alaba, Militao dhe Karvahal mungojnë. Tekniku italian pyetet nëse ndihet më mirë me gjykimin në Champions sesa në La Liga.

“Po, jam më I qetë me arbitrat europianë. Këtë e tregon statistika. Në Europë ka shumë më pak polemika në këtë drejtim, ka shumë më pak ndërhyrje të VAR-it. VAR ndërhyn vetëm kur është e domosdoshme. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se në Champions drejtojnë ndeshjet arbitrat më të mirë të secilit vend”.

“Optimistë, por pa marrë asgjë të sigurt që më parë, – titullon “AS” e Madridit, – Reali beson se do t’ia dalë, por nuk i zë besë Sitit!”

Guardiola merr një nxitje nga Katalonja, pasi e përditshmja “Sport” shkruan: Pep në kërkim të mrekullisë! Trajneri i Sitit synon të pushtojë sërish “Bernabeun”!” Reali është favorit për kualifikimin, edhe pse nuk mund të parashikohet asgjë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!