Nuk dihet nëse do të humbasin ndonjë pikë. Të kuqtë e Liverpulit vazhduan dominimin dhe kryesimin në Ligën e Kampionëve me një tjetër fitore. Në stadiumin “Anfild” u mund Lila franceze, ndonëse jo edhe aq lehtë, me rezultatin 2-1.
Miqtë, që ishin me 10 lojtar në gjysmë orën e fundit sepse Mandi doli me të kuq, ndërsa për vendasit shënuan Mohamed Salah në 34’ dhe Harvej Eliot në 67’. Lila, e cila luajti pa Edon Zhegrovën e dëmtuar, barazoi përkohëshit në 62’. Liverpul kryeson Championsin me 21 pikë të plota në 7 ndeshje.
Në Madrid u luajt një duel I madh, ndoshta më I forti I kësaj jave. Atletiko u ndodh në vështirësi përballë Leverkusenit, por ia doli sërish me përmbysje. Gjermanët e nisën shumë mirë, duke arritur epërsinë numerike dhe avantazhin me golin nga Hinkapie në fund të pjesës së parë.
Pas pushimit, Hulian Alvarez barazoi për Atletikon, gjermanët mbetën edhe ata me 10 lojtarë, dhe në sekondat e fundit sërish Alvarez shënoi golin e fitores 2-1. Atalanta është më e mira nga italianet. Pavarësisht gabimeve javët e fundit në Serinë A, e mbiquajtura “Perëndesha” arriti një sukses të thellë ndaj Shturmit austriak, me rezultatin 5-0.
Festivali në Bergamo u realizua me golat e shënuar nga Retegi, Pashaliç, De Keteler, Lokman dhe Breshanini. Kapiteni I kombëtares shqiptare e nisi nga stoli këtë herë dhe luajti pak më shumë se 20 minuta, ndërsa skuadra e trajnerit Gasperini për momentin është në vend të katërt në Ligën e Kampionëve me 14 pikë.
Juventusi, një nga pretendentët për titullin, u ndal në barazim pa gola në Bryzh. Ndoshta, italianët ndjenë lodhjen e ndeshjeve të shumta dhe të udhëtimeve deri në Arabinë Saudite, ndërsa përballja në Belgjikë ishte pa shumë raste. Në vendin e 14-të, “Zonja e Vjetër” duhet të reagojë në ndeshjen e radhës ndaj Benfikës, që është edhe e fundit.
Një tjetër skuadër italiane bëri më shumë, ndërkaq. Bolonja arriti një sukses historik, fitoren e parë në histori në Champions duke mundur 2-1 Dortmundin. U duk se gjermanët I kishin letrat në rregull kur Girasi shënoi me penallti në 15’, por për dy minuta bolonjezët realizuan një përmbysje për t’u mbajtur mend. Tejs Dalinga shënoi në 71’ dhe 72’, ndërsa Dortmundi pësoi humbjen e katërt radhazi në çdo konkurrim./abcnews.al

