Champions League/ Brest bën “poker” ndaj Salzburg, Sparta e Qazim Laçit ndan pikët me Stuttgart

schedule20:56 - 1 Tetor, 2024

schedule 20:56 - 1 Tetor, 2024

Mund të konsiderohet një start perfekt i aventurës Champions, duke parë edhe nivelin e skuadrave.

Francezët e Brest dhe kampionët çek të Sparta Prague kanë regjistruar rezultatet pozitive të radhës në elitën e futbollit evropian, me skuadrën e Ligue 1 që triumfoi 0-4 në transfertën e Salzburg, ndërsa Qazim Laçi me shokë siguruan një barazim ndaj gjermanëve të Stuttgart.

Kështu, në “Red Bull Arena”, skuadra franceze dominoi totalisht sfidën ndaj austriakëve, golin e parë të sfidës që erdhi nga Abdallah Sima, në minutën e 24’-t, pas një pasimi perfekt të Ajorque, për të vijuar më tej me golat e Camara, Pereira Lage dhe një tjetër rrjetë nga Sima, për të vulosur fitoren e thellë në një transfertë tejet të vështirë.

Në krahun tjetër, Stuttgart e Sparta Prague, siç theksuam edhe më sipër nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1, me të dy golat që erdhën në pjesën e parë, fillimisht nga Millot në minutën e 7’-të e më pas Kairinen hipotekoi 1 pikë, falë ekzekutimit perfekt të një goditjeje dënimi.

Falë këtyre rezultateve, skuadra e Brest qëndron në vendin e parë të tabelës së Champions League, me plot 6 pikë e ndjekur me 4 pikë nga çekët e Qazim Laçit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!