Çfarëdo të ndodhë më 3 Nëntor, duhet shumë punë për ta bërë Amerikën sërish normale

schedule15:53 - 2 Nëntor, 2020

schedule 15:53 - 2 Nëntor, 2020

Nga Adam Tooze, The Guardian

Teksa zgjedhjet janë në prag, duket se e gjithë bota po mban frymën pezull. Asnjë ngjarje tjetër politike nuk tërheq aq shumë vëmendje, sa zgjedhjet presidenciale amerikane . Edhe në mesin e një epidemie, procesi politik amerikan ruan joshjen e tij karnivaleske.

Ka sjellje të paskrupullta dhe një retorikë skandaloze. Donald Trump bën politikë si të ishte në një shou televiziv. Për ata që janë të prirur ta shohin politikën në këtë mënyrë, dëgjimi pareshtur i sondazheve dhe i ekspertëve zgjedhore, përbën një joshje të pa rezistueshme.

Por ne nuk ndjekim vetëm shfaqjen. Ne i ndjekim presidencialet, pasi epoka jonë është e shenjuar nga statusi i SHBA si një superfuqi e spikatur. Nëse flasim nga një perspektivë historike, ky është një status relativisht i kohëve të fundit.

Për më shumë se një shekull pas pavarësisë në vitin 1776, SHBA ishte aq periferike sa që fuqitë e mëdha nuk kishin as përfaqësim të plotë diplomatik në Uashington. Vetëm në vitin 1893, Britania e Madhe ishte e para që e shndërroi legatën e saj në një ambasadë.

Në krizën e korrikut të vitit 1914 – drama e madhe diplomatike që shkaktoi Luftën e Parë Botërore – Serbia e vogël, figuronte si më e rëndësishme sesa Shtetet e Bashkuara.

Hera e parë që zgjedhjet presidenciale amerikane, patën një rëndësi të qartë për të gjithë, ishte rizgjedhja e Udrou Uillsonit në vitin 1916. Fuqia punëtore amerikane, ndikimi ekonomik dhe diplomacia e re e Uillsonit do të përcaktonin rezultatin e Luftës së Parë Botërore.

Në fakt, Evropianët mësuan në mënyrën më të ashpër, se nuk kishin rëndësi vetëm zgjedhjet presidenciale. Ndarja e pushtetit në SHBA, do të thoshte se duhej ndjekur edhe politika e Kongresit. Fitorja e republikane në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor 1918, disa ditë para përfundimit të luftës, rrezikoi perspektivat e Uillsonit për të marrë miratimin e Kongresit për marrëveshjen e paqes në Versajë dhe Lidhjen e Kombeve, aq të dashur prej tij.

Nëse 1916 ishte vendimtar, kjo do të ishte edhe më e vërtetë për zgjedhjen e tretë si president të Frenklin Ruzveltit në vitin 1940 . Fitorja e tij hapi rrugën paketës gjigante të ndihmës për Evropën Perëndimore. Dhe këtë herë, pas fitores mbi Gjermaninë naziste dhe Japoninë perandorake, ajo që bëri Amerika nuk ishte braktisja, por dashuria e fortë në formën e planit Marshall dhe NATO-s.

Në vitin 2008, në mesin e krizës financiare, zgjedhja e Barak Obamës, u cilësua si historike. Bota kishte shumë nevojë për diçka më të mirë se sa Xhorxh W.Bush. Zgjedhja e një afro-amerikani në një komb që dikur mbështetej aq shumë tek skllavëria, ishte një simbol i shpresës.

Ishte ky premtim që nxori dhjetëra mijëra të rinj gjermanë në rrugët e Berlinit në korrikun e vitit 2008 për të brohoritur Obamën, madje edhe para se ai të zgjidhej. Dhe Obama e ndezi atë lloj entuziazmi që nxiti dikur Xhon Kenedi. Zgjedhja e këtij të fundit presidenti, diktoi zhvillimet historike të viteve 1960 në SHBA dhe mbarë botën.

Qe një shenjë, se ishte koha që burrat e epokës eduardiane – si Harold Makmilan, Sharl de Gol, Konrad Adenauer – të ecnin përpara. Përveçse nëse zgjidhet Alesandria Okasio-Kortez, është e vështirë të imagjinohet që ndonjë president amerikan të shkaktojë sot një trazim të ngjashëm.

Gerontokracia e sotme (qeverisje e të moshuarve) në SHBA-së i ngjan fazës së mëvonshme dhe dekadente të Bashkimit Sovjetik. Gjykatësja e ndjerë e Gjykatës së Lartë Rut Ginsburg vdiq në detyrë në moshën 87-vjeçare. Kryetarja e Kongresit, Nensi Pelozi është 80 vjeçe. Presidenti Trump është aktualisht 74-vjeç. Hilari Klinton, sot 73-vjeçe, do të kishte qenë gruaja e parë presidente, ndërkohë Berni demokrati Berni Sanders, 79-vjeç, është një amerikan origjinal, por si i tillë nuk ishte kurrë e lehtë ta shihje atë të ngjallte ndonjë entuziazëm global.

Në vitin 2020, ne nuk hedhim sytë nga SHBA-ja në kërkim të emocioneve. Ndjesia dominuese nuk është ngazëllimi, por frika. E vetmja gjë që ne kërkojmë është siguria se demokracia e Amerikës nuk është plotësisht e shkatërruar.

Zgjedhja e një qenieje njerëzore normale, edhe nëse ky është “gjyshi” i Xho Bajdenit, që do të mbushë 78 vjeç më 20 nëntor, do të ishte një hap në drejtimin e duhur. Por është koha të jemi të sinqertë me veten. Forcat që përfaqëson Trump nuk janë të reja.

Uillsoni ishte racist deri në palcë. Pas Abraham Linkolnit, Jugu nuk votoi për një shekull asnjë republikan. Makartizmi ishte represiv, edhe sipas standardeve të Evropës së Luftës së Ftohtë. Edhe Trump i bën jehonë retorikës shpesh të ashpër të Riçard Niksonit dikur.

Sa i përket “shëndetit” të institucioneve politike amerikane, çfarë paralajmërimi na duhej më shumë sesa kaosi i garës Bush-Al Gor në vitin 2000, ku fituesi u përcaktua nga një gjykatë e dominuar nga të emëruarit e republikanëve?

Problemi kryesor sot është se degradimi i Partisë Republikane, po ndodh prej dekadash. Në retrospektivë, nominimi i Sarah Palin si kandidate e Xhon Mekein për zv/presidente në vitin 2008, duket më pak një shaka e keqe, sesa si lajm ogurzi. Në vitin 2016, Trump ishte një nga opsionet më pak të çuditshme në ”menynë” e republikanëve.

Që nga ajo kohë ne kemi qenë dëshmitarë të shkeljeve periodike të Kushtetutës. Ato arritën kulmin në qershor 2020, kur u diskutua nëse ushtria do të zbarkonte në rrugët e Uashingtonit. Pati zëra shqetësues rreth besnikërive politike të udhëheqësve ushtarakë amerikanë.

Por hezitimi i tyre për të pranuar urdhrat e Trumpit, nuk është qetësues për sa i përket integritetit të zinxhirit të komandës. Makineria elektorale e Amerikës është shumë e brishtë,  dhe sundimi i ligjit rrezikon të sfidohet në çdo çast.

Çdo nivel i makinerisë shtetërore dominohet nga politizimi. Javën e ardhshme, mund të shohim që kutitë e votimit të shoqërohen nga milicia e armatosur, duke iu përgjigjur kësisoj thirrjes së Trump për “të qëndruar pranë” procesit.

Ne kemi arritur në një pikë ku ojq si Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe Qendra Karter, të cilat normalisht monitorojnë zgjedhjet në demokracitë e brishta nëpër botë, po e fokusojnë vëmendjen e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Kthimi i aparatit të çertifikimit elektoral kundër vetë SHBA-së, tregon pa dyshim një krizë me përmasa historike. Nëse fiton Bajden dhe demokratët, gjëja e parë që do të duhet të bëjmë është që të jemi të matur. Kini kujdes nga premtimet pa doganë të Bajdenit, për ta bërë sërish normale Amerikën.

Tek e fundit, ishin 8 vitet e një presidencë shumë normale të Obamës, ato që hodhën bazat për fitoren e Trumpit. Pyetja thelbësore që vjen pas zgjedhjeve të vitit 2020 është kjo:a mund të ndryshojë politika amerikane? Nëse jo, bota e shekullit XXI, do të jetë e dënuar të shohë një spektakël gjithnjë e më të egër dhe të rrezikshëm. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Adam Tooze, është profesor i historisë në Universitetin e Kolumbias, SHBA.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!