Departamenti amerikan i Thesarit ka zgjeruar sanksionet ndaj Milorad Dodikut për aktivitete korruptive dhe kërcënim të stabilitetit dhe integritetit të Bosnje e Hercegovinës. ShBA-ja s’do të hezitojë që të veprojë ndaj kujtdo që bën përpjekje për të destabilizuar vendin thuhet në komunikatën e lëshuar nga Thesari amerikan.
Nënsekretari amerikan i Thesarit, Brian Nelson, ka deklaruar se Dodik është përpjekur që ta cenojë marrëveshjen e Dejtonit duke kërcënuar stabilitetin e Bosnjes por edhe të rajonit.
“Aktivitetet korruptive të Milorad Dodikut dhe përpjekjet për të prishur Marrëveshjen e Dejtonit i motivuar nga interesi personal, ka kërcënuar stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe tërë rajonit. SHBA-ja nuk do të hezitojë të veprojë kundër atyre që ndjekin korrupsionin, deztabilizimin dhe ndarjen në kurriz të popullit të tyre si dhe ndaj atyre që e mundësojnë dhe lehtësojnë këtë sjellje”, ka thënë Nënsekretari amerikan.
Ky veprim i Thesarit vjen pasi presidenti Joe Biden kishte nënshkruar një Urdhër Ekzekutiv në qershor 2021, ku ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor./Express