Çfarë tha Basha para prokurorëve belg për 3.4 mln euro? Artan Hoxha: SMS-ja për drejtorin e policisë

schedule22:28 - 10 Shkurt, 2022

schedule 22:28 - 10 Shkurt, 2022

Mbrëmjen e sotme kryedemokrati Lulzim Basha u fut me ditë dhe doli me natë nga dyert e SPAK ku qëndroi më shumë se 2 orë e 20 minuta përballë prokurorëve belgë në lidhje me dosjen “Toyota Auris”.

Gazetari Artan Hoxha deklaroi në “Log.” në ABC se Basha ka deklaruar para hetuesve se informacionin për 3.4 mln euro që e tha në Kuvend dy ditë para se të kjo shumë parash të ndalohej në Durrës e ka marrë vesh nga një emigrant. “Basha ka thënë që e ka marrë vesh nga një emigrant. Nga sa unë kam dijeni është një mesazh që i është dërguar drejtorit të policisë së shtetit në atë kohë. Është shumë interesante”, tha Artan Hoxha.

Lexo edhe: Artan Hoxha: 3 pyetjet e belgëve për Bashën, kush është prokurori që lëviz me mjet të blinduar

Ai u shpreh se nga ana tjetër ekziston një mesazh në datë 20 qershor të vitit 2018 që ka mbërritur në telefonin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit ku flitet pikërisht për këtë rast.

“Në datën 20 qershor të vitit 2018, në orën 09;31 të mëngjesit i është dërguar ky mesazh drejtorit të policisë” Zoti drejtor desha të informoj për diçka me rëndësi. Sot në Durrës me 90%, Han i Hotit apo edhe Murriqan pritet të futet një karrotrec me disa mjete. Njëri ka para. Karrotreci është me targa AA120… shoferi quhet Shaban. Ky mesazh i është dërguar drejtorit të policisë së shtetit 24 orë para se ta deklarojë Basha”, u shpreh ai.

Hoxha tha se është pi i njëjti burim nga i cili e ka marrë vesh edhe Basha. “Dyshimet janë se nga i njëjti burim mund ta ketë marrë vesh edhe Basha. Personat që u kapën janë disa klane që kanë mënyrë tjetër funksionimi. Në këto raste të tjerë janë ata që kanë paratë dhe të tjerë ata që bëjnë transportin. Ky informacion është mesazh që është dokumentuar zyrtarisht.

Mëngjesin e datës 20 qershor 2018. Basha ka folur në datën 22 qershor. Toyotat Auris janë kapur në datën 24. Kemi një distancë kohore nga momenti kur publikohet informacioni. Kjo transfertë parash nuk kanë qenë në monitorim nga autoritete belge. Nuk ka pasur një hetim në lidhje me këtë çështje. Trajleri që ka bërë lëvizjen është nisur nga Belgjika. Basha e ka formimin që ta mendojë mirë se çfarë do të thotë të kesh një informacion të tillë. Por ndoshta duke parë Berishën që ia ka dalë herë tjetër ka thënë ta provoj edhe unë njëherë. Basha nuk duhet ta publikonte”, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!