Çfarë shpreson të arrijë Joe Biden në Ukrainë?

schedule10:20 - 22 Prill, 2022

schedule 10:20 - 22 Prill, 2022

Nga Daniel Davis “19 Forty Five

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ndërsa i gjithë fokusi në Perëndim, është përqendruar kuptueshëm tek sigurimi urgjent i armëve që i nevojiten Ukrainës për të sprapsur pushtimin rus, ne duhet të analizojmë njëkohësisht se çfarë do të ndodhë më pas. Është jetike që Shtëpia e Bardhë të përcaktojë shpejt objektivat strategjike afatgjata, që janë shumë të nevojshme për të garantuar sigurinë tonë edhe në të ardhmen.

Mjerisht, teksa vendosja e objektivave të tilla është kritike për hartimin e politikave efikase dhe të suksesshme, të menduarit strategjik është bërë një praktikë e rrallë në Uashington. Dështimi për të identifikuar, dhe aq më pak arritur objektivat strategjikë në lidhje me luftën e Amerikës në Afganistan, nga Bush tek Trump, ishte një nga arsyet kryesore të dështimit tonë atje, dhe që i kushtoi shtrenjtë SHBA-së.

Pasi Bush e ngarkoi ushtrinë amerikane një mision të arritshëm në sulmin fillestar të vitit 2001, më vonë e ndryshoi misionin në një objektiv të mjegullt siç është “ndërtimi i kombit afgan”, që nuk kishte ndonjëherë një grup detyrash të arritshme. Rrjedhimisht, administrata Bush – dhe as ndonjë tjetër që e pasoi – nuk artikuluan asnjëherë një synim përfundimtar të arritshëm në atë luftë.

Dhe kjo duket të jetë e arsyeshme (por ndodh rrallë në Uashington):në rast se nuk ka një skenar përfundimtar të përcaktuar qartë, nuk do të ketë asnjë grupim njësish matëse objektive, me të cilat një administratë mund të mësojë, nëse politika e saj është një sukses apo dështim.

Në mungesë të njësive të tilla matëse, çdo administratë dhe çdo gjeneral në Afganistan, u la i lirë të përcaktonte vetë çfarë ishte sukses, gjë që përputhej rrallë me udhëheqësit e mëparshëm dhe shpesh binte ndesh me praktikat e kaluara.

Rezultati i këtyre politikave të turbullta dhe të paqarta? Njëzet vjet zhgënjim dhe dështim strategjik, i shoqëruar me tërheqjen tonë poshtëruese gushtin e vitit të kaluar dhe ri-ngjitjen e talebanëve në pushtet në Kabul. Në Afganistan, ajo luftë i kushtoi Shteteve të Bashkuara mbi 22.000 të vrarë dhe të plagosur dhe triliona dollarë të harxhuar.

Por ajo pati ndikim të kufizuar në qëndrueshmërinë tonë si komb. Nëse ne dështojmë edhe tani në lidhje me Ukrainën, që të vendosim objektiva strategjikë logjikë dhe të arritshëm, rezultati mund të jetë përfshirja në një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë, dhe një përshkallëzim i mundshëm drejt përdorimit të armëve bërthamore.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë në ballë të ndihmës që Perëndimi i ka dhënë Ukrainës, që nga fillimi i pushtimit të Putinit në shkurt. Biden i ka drejtuar aleatët në vendosjen e sanksioneve më të rënda, që janë vendosur ndonjëherë ndaj një vendi.

Ai e ka demonizuar publikisht Putinin, dhe vazhdon t’i japë miliarda dollarë armatime ushtrisë ukrainase. Por ajo që mungon, është një artikulim i qëllimit që kanë këto veprime. Pra Biden duhet të na thotë se çfarë rezultati shpreson të japin të gjitha veprimet e tij.

Ekspertë dhe analistë të njohur, po përpiqen të deshifrojnë synimet e administratës aktuale. Një mundësi është që SHBA-ja t’i ofrojnë Ukrainës armë, me qëllim që ta ndihmojnë Kievin të ndalë pushtimin rus, dhe t’i dëbojë trupat ruse nga territori ukrainas. Edhe pse një objektiv i tillë mund të duket tërheqës, gjasat për të pasur sukses, në mungesë të një pranie të drejtpërdrejtë të SHBA-së në terren, janë shumë të vogla.

Do të duheshin vite dhe dhjetëra miliarda dollarë, për të krijuar një forcë ukrainase të mjaftueshme për të dëbuar trupat ruse. Madje edhe atëherë do të kishte një shans minimal për të pasur sukses. Dy ide të tjera të përhapura në Uashington. përfshijnë ndryshimin e regjimit në Moskë për të rrëzuar Putinin, dhe përdorimin e luftës në Ukrainë si një mjet për të dobësuar në mënyrë progresive ushtrinë e Putinit.

Aktualisht nuk ka asnjë mundësi për ta rrëzuar Putinin nga pushteti (dhe aq më pak një perspektivë se cilido që do ta pasonte, do të ishte më mirë), dhe përpjekja për të dëmtuar Moskën, do të rriste domosdoshmërisht dhe në mënyrë dramatike shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës, dhe do të shkaktonte një rritje të madhe të njerëzve të vrarë (për të mos përmendur mundësinë që Rusia mund ta përshkallëzojë ofensivën e saj në kundërpërgjigje të përpjekjeve tona, dhe të arrijë një fitore ushtarake).

Një skenar edhe më shqetësues, është mungesa e një strategjie të qartë pas politikave të administratës Biden. Dhe në vend të saj kemi veprime të thjeshta në kundërpërgjigje të lëvizjeve ushtarake ruse, pa ndonjë rezultat të caktuar të dëshiruar, dhe pa i shkaktuar një goditje shumë të fortë Putinit.

Problemi më i madh me një kurs të tillë, është se në mungesë të një objektivi strategjik koherent, logjik dhe udhëzues, këto politika individuale nuk kanë gjasa të prodhojnë rezultate të dobishme për SHBA-në, Madje mund ta përkeqësojnë situatën tonë.

Për të udhëhequr politikën e saj të përgjithshme përkundrejt luftës Rusi-Ukrainë, administrata duhet të vendosë dy objektiva prioritare:ruajtjen e sigurisë kombëtare të SHBA-së, dhe sigurimin e aftësisë së popullatës sonë për të ecur përpara.

Çdo veprim i ndërmarrë, çdo politikë e miratuar duhet të mbështesë ose t’i lehtësojë këto synime. Çdo gjë që nuk e mbështet atë – apo çdo gjë që funksionon për qëllime të ndryshme – duhet të shmanget. Të gjitha politikat që propozoj më poshtë, do të nxisin arritjen e dy objektivave, dhe do të mbështesin reciprokisht njëra-tjetrën.

Së pari, duhet që në koordinim me aleatët evropianë, SHBA-ja të vazhdojë praktikën aktuale të furnizimit të Ukrainës me armë dhe municion të mjaftueshëm për t’u mbrojtur, me qëllim që përparimet e mëtejshme të ushtrisë ruse të jenë shumë të kushtueshme në njerëz dhe armatime, dhe që të dyja palët t’i japin fund konfliktit në tryezën e negociatave.

Megjithëse në Perëndim ekziston një dëshirë universale për ta parë Rusinë të mposhtur dhe të dëbuar nga Ukraina, ka shumë pak gjasa të krijohet në Ukrainë një forcë sulmuese që mund ta detyrojë Moskën të rikthehet në territorin e saj pa e përshkallëzuar në mënyrë dramatike luftën brenda Ukrainës (gjë që do të do të rriste shumë shkatërrimin fizik të qyteteve të Ukrainës, por edhe numrin e civilëve të vrarë, dhe do të ofronte pak shpresë për një sukses ushtarak përfundimtar).

Së dyti, Uashingtoni duhet të përdorë të gjithë fuqinë e tij diplomatike, duke punuar me zyrtarët e lartë të qeverisë së Ukrainës, qeveritë evropiane, dhe në prapaskenë edhe me Moskën, për t’i ndihmuar palët të gjejnë një mënyrë reciproke të pranueshme për t’i dhënë fund kësaj lufte.

Unë e kuptoj shumë mirë që kërkimi i një zgjidhjeje të negociuar, është për momentin një opsion i papëlqyeshëm, për shkak të masakrave dhe krimeve të mundshme të luftës që janë kryer tashmë nga trupat ruse.

Por rezultati më i mundshëm i refuzimit për ta synuar këtë rezultat është zgjatja e luftës, shtimi i të vrarëve dhe i shkatërrimeve, dhe mundësia në rritje që një zgjidhje e ardhshme, do të jetë akoma më pak në avantazhin e Kievit. Për Amerikën, sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më e gjatë është mundësia e përshkallëzimit, qoftë gabimisht, nga një llogaritje e gabuar apo edhe aksidentale.

Së fundi, Biden duhet të ruajë “vijën e tij të kuqe” për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga çdo sulm, dhe respektimin e detyrimeve tona në kuadër të Nenit 5 të NATO-s. Shumica e vendeve të Ballkanit, janë zotuar tashmë të rrisin shpenzimet e tyre në mbrojtje, dhe të përmirësojnë kapacitetin e tyre ushtarak.

Përtej çdo lloj diskutimi, lufta e Putinit në Ukrainë ka qenë imorale dhe e panevojshme. Bota është e neveritur me të drejtë nga ajo që ka bërë Rusia, dhe është plotësisht e drejtë që ndaj Moskës të vendosen sanksione të rënda. Megjithatë ajo që duhet të sigurojë Uashingtoni, është që përgjigjet e tij të sigurojnë para së gjithash ruajtjen e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe aftësinë e Amerikës për të përparuar.

Angazhimi për përfundimin sa më parë të kësaj lufte, dhe garancia se konflikti nuk do të përshkallëzohet përtej kufijve të Ukrainës, i lehtëson që të dy këto objektiva dhe është thelbësor. Reagimi i Perëndimit me në krye Biden për ta ndëshkuar Rusisë është i duhuri. Por Biden duhet të shmangë shkuarjen shumë larg, në mënyra që mund të sjellin pa dashje një përplasje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

Çdo veprim i tillë mund të dalë jashtë kontrollit, dhe mund të përshkallëzohet shumë lehtë në një luftë bërthamore. Pasojat për Shtetet e Bashkuara nga një luftë bërthamore do të ishin katastrofike, dhe do të vrisnin miliona amerikanë. Ndaj është detyrimi numër një i presidentit të sigurojë që të mos mbërrijmë asnjëherë në atë pikë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!