Çfarë shkaktoi shembjen e urës Morandi?

schedule21:17 - 16 Gusht, 2018

schedule 21:17 - 16 Gusht, 2018

Teksa pritet që zbardhja e shkaqeve të rrëzimit të urës Morandi të kërkojë një kohë relativisht të gjatë, disa ekspertë janë munduar t’i japin përgjigje pyetjeve të shumta. Mes motiveve të renditura prej tyre figurojnë faktorët ambjentalë, vjetërsia, trafiku i rënduar dhe rënia e investimeve për mirëmbajtjen.

Në Itali, por jo vetëm vijojnë debatet mbi shembjen e urës Morandi. Kur kanë kaluar dy ditë nga tragjedia, motivet e rrëzimit të pjesës kryesore të saj janë ende të paqarta dhe zbardhja e tyre do të kërkojë pa dyshim kohë. Por disa ekspertë janë përpjekur të japin përgjigje. I kontaktuar nga BBC, Sterxhos Mitulis, profesor i specializuar për ndërtimin e urave në Universitetin Sërrej të Anglisë, ka deklaruar se faktorët ambjentalë mund të kenë ndikuar në dobësimin e parakohshëm të strukturës, që ishte llogaritur të mbante deri në 100 vjet. “Një faktor mund të jetë afërsia me detin, një tjetër fakti se ura ndodhej në një zonë të industrializuar dhe ndotja mund të ketë përshpejtuar degradimin e saj”, ka thënë Mitulis. Mitulis sheh me shqetësim disa pjesë të urës që janë ende në këmbë. Sipas tij, ndryshku mund të shihet qartë në majë të tendinave, ose krahëve që nga maja e urës mbajnë peshën e rrugës që vjen poshtë. “Duket qartë se pjesët e saj janë përkeqësuar. Rrënimi i njërës prej tyre është njësoj si t’i presësh dikujt njërën këmbë dhe t’i kërkosh të qëndrojë pa lëvizur me këmbën tjetër”, vijon Mitulis. Profesori vlerëson gjithashtu se është e papranueshme që struktura të ketë vetëm 4 tendina, ndërkohë që urat e ndërtuara në ditët e sotme kanë 10 herë më shumë. Ai thekson se, krahët e urës Morandi janë ndërtuar me çimento dhe çelik, që si pasojë e ndryshkut është i prirur të dobësohet me kalimin e kohës. Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe ai i mirëmbajtjes. “Një urë e madhe si ajo kërkon inspektim dhe mirëmbajtje sistematike nën mbikëqyrjen e inxhinierëve të kualifikuar”, thotë Ian Firth, ish-president i Institutit britanik të Inxhinierisë Strukturore. Sipas Firth, në historikun e urave të shembura mirëmbajtja ka qenë një faktor kyç, që shpesh herë ka rezultuar e keqplanifikuar ose e keqimplementuar. “Gjithashtu, ura ka pasur një seri problemesh gjatë ekzistencës së saj, ndaj struktura mund të ketë patur nevojë për një nivel më të lartë mirëmbajtjeje se normalja”, thotë nga ana tjetër Ian Firth. Një tjetër faktor mund të jetë edhe trafiku i rënduar, nisur nga fakti se në urën Morandi kanë kaluar çdo vit rreth 25 milionë automjete, shumë më tepër nga ç’mund të jetë parashikuar 5 dekada më parë. Por gjithashtu, ura mund të ketë degraduar nga rënia e investimeve në infrastrukturë, nisur nga fakti se buxheti i Italisë në këtë fushë është shumë më i ulët krahasuar me ata të ekonomive të vendeve të tjera perëndimore. Qeveria italiane ka urdhëruar një hetim, por ekspertët paralajmërojnë se është ende herët për t’u fokusuar tek shkaqet. Ata të gjithë bien dakord në një pikë, se vetëm një hetim i specializuar do të mund të përcaktojë motivet reale të shembjes së urës 50-vjeçare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!