Policia e Beratit pika të shumta kontrolli në çdo hyrje e dalje të 5 qyteteve të qarkut. Kontrollet e policisë, jo vetëm për thyerjen e karantinës por edhe për kapjen e personave në kërkim dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Rritja e numrit të aksidenteve në vend dhe respektimi i orarit të karantinës ka bërë që policia e Beratit të “blindojë” rrugët e qytetit. Postblloqe të shumta policore janë ngritur jo vetëm në hyrje e dalje të qytetit të Beratit por paralelisht edhe në të katër bashkitë e tjera të qarkut.
Burime nga policia për abcnews.al bëjnë me dije se bëjnë me dije se këto masa janë ndërmarrë me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale, ngjarjeve kriminale, respektimin e masave anti-Covid dhe kapjen e personave në kërkim.
Në hyrje dhe në dalje të Beratit janë ngritur pika kontrolli, pjesë e të cilave janë bërë të gjithë sektorët e Drejtorisë Vendore të Policisë,duke filluar që nga inspektorët e krimeve e deri tek ata të qarkullimit rrugor.
Mësohet se, në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë,ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetet nëpërmjet identitetit të tyre,për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat a në qytete të tjera. Kontrollet e policisë nuk kanë vijuar vetëm pas orës 20:00 për shkelësit e karantinës por edhe gjatë ditës. Vetëm në 10-ditët e fundit janë kontrolluar rreth 570 automjete dhe janë vendosur 245 masa administrative për shkelësit e Kodit Rrugor, janë arrestuar 3 shtetas që janë konstatuar pa leje drejtimi dhe 1 shtetas në gjendje të dehur.
96 masa administrative janë vendosur për shkelje të Aktit Normativ nr.32,për vendosjen e barrierave mbrojtëse (maskave) dhe 18 drejtues mjetesh janë dërguar në OASH,ndërkohë që 1 shtetasi që u kap pa jashtë fashës orare ju tërhoq patenta dhe ju bllokua mjeti.
Gjatë këtij aksioni mësohet se policia ka ushtruar kontroll fizik për armë,drogë e sende të tjera të kundraligjshme mbi 145 shtetas që kanë kaluar me automjete në postblloqet e ngritura. Burimet policore konfirmojnë se,pikat e kontrollit do të vijojnë të qëndrojnë të ngritura përgjatë gjithë muajit Mars në rrugët e qarkut të Beratit.