Çfarë po ndodh me vaksinat anti-Covid që nuk po përdoren?

schedule10:35 - 19 Prill, 2021

schedule 10:35 - 19 Prill, 2021

Ndërsa disa vende po përpiqen të sigurojnë vaksina, të tjerët i kanë stok dhe po mendojnë se çfarë mund të bëjnë me ta, pasi i kanë porositur dhe nuk po i përdorin më për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Disa vende kanë kufizuar përdorimin e vaksinave AstraZeneca dhe Johnson & Johnson për grupmoshat e reja për shkak të një rreziku shumë të vogël të mpiksjes së gjakut. Danimarka ka ndaluar përfundimisht AstraZenecën, duke shkaktuar kështu një valë të madhe interesi për dozat e saj të papërdorura.

A mund të përdoren këto vaksina diku tjetër?

Në teori, po. Vendet janë të etura të shesin dhe të dhurojnë vaksinat që nuk ju nevojiten më. Të enjten, drejtori i Europës i OBSH-së, Hans Kluge, tha se Danimarka po kërkonte të bënte pikërisht atë.

E kuptoj që ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës është e gatshme, ose është duke parë opsionet, për shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra”, tha Kluge në një konferencë. Dhe disa fqinj të Danimarkës shprehën interes për të marrë vaksinat e padëshiruara, informon abcnews.al.

“Ne ende kemi më pak vaksina sesa njerëzit që duhet të vaksinohem. Prandaj, Lituania shpreh gatishmëri për të marrë dozat e AstraZenecas, nëse Danimarka do t’i japë”, tha kryeministrja lituaneze, Ingrida Simonyte.

Përmes një postimi në Twitter, ministri i Brendshëm çek tha se ai kishte udhëzuar diplomatët për të shprehur interesin e vendit në blerjen e vaksinave AstraZeneca nga Danimarka. Përgjigja e Danimarkës nuk është ende e qartë, dhe qeveria nuk ka dhënë ende asnjë koment.

Ndërkohë, vaksinat po ruhen në depo. Të dy vaksinat AZ dhe J&J kanë avantazhe se mund të ruhen në temperaturën e frigoriferit, duke e bërë më të lehtë transportin e tyre sesa vaksina Pfizer, e cila do një temperaturë -70 gradë celsius. E thënë kjo, vaksina ka një datë përdorimi, e cila ndryshon në varësi të zhvilluesit të dozës, informon abcnews.al.

A ka ndonjë skemë për ndarjen e vaksinave rezervë?

Po, ka. Quhet Covax. Është një skemë ndërkombëtare që synon të sigurojë vaksinat të ndahen në mënyrë të drejtë midis të të gjitha kombeve, të pasura dhe të varfra. Ajo drejtohet nga OBSH dhe përfshin Aleancën Globale të Vaksinave (Gavi) dhe Koalicionin për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (Cepi). Deri në fund të vitit 2021, Covax shpreson të japë më shumë se dy miliardë doza për njerëzit në 190 vende. Një pjesë e kësaj skeme përfshin rishpërndarjen e dhurimeve të vaksinave rezervë nga vendet e pasura në ato të varfra. Megjithatë, ata janë përballur me kritika, sepse deri më tani, askush nuk e ka shpjeguar saktësisht kur do të kenë doza rezervë dhe sa kanë ndërmend të dhurojnë./Përshtati nga BBC, e.b-abcnws.al