Çfarë po ndodh me të dënuarit në burgje, flet babai i iniciatorit të grevës së urisë Verdi Morava

schedule09:16 - 8 Tetor, 2020

schedule 09:16 - 8 Tetor, 2020

Në disa institucione të vuajtjes së dënimit në burgje, disa të dënuar janë futur në grevë urie pasi kërkojnë plotësimin e disa kërkesave, për të cilat ende nuk është marrë asnjë vendim.

Ditën e djeshme grevës së urisë iu bashkuan edhe të dënuarit në paraburgimin e 313-tës, ndërsa dy institucionet përgjegjëse, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë mohuar të ketë pasur grevë.

Diell Morava, babai i të dënuarit Verdi Morava i cili ishte edhe një nga iniciatorët e grevës së urisë, tha për gazetaren e ABC News Glidona Daci se vendimi i tij erdhi për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në burgje.

 “Djali im e mori vendimin për grevë në mbështetje të të gjithë të burgosurve të tjerë, për arsye të ndryshme. Djali ka parashtruar disa kërkesa të ligjshme, për lejet që duhet ti jepet të burgosurve.

Për 3 vite ka kërkuar leje për të dalë pasi i ka plotësuar të gjitha kushtet, në një moment mori një përgjigje pozitive nga institucioni, por më pas nuk u plotësua. Para dy vitesh kaloi në një grevë ekstreme dhe pas 37 ditëve arritën ta nxirrnin nga grevën e urisë, falë drejtorit të burgjeve në atë kohë.

Po ashtu nga Komisioni i Disiplinës për efekt të përplasjes me juristen iu dha një masë për t’i hequr të drejtën e kërkesës së tij për të ulur dënimin çdo vit sipas rregullores. Që nga ajo kohë e deri më sot djali i ka vënë në dije autoritetet për situatën e rëndë në burgje, Ministren e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, në lidhje me mosrespektimin e lidhjeve.

Kërkesat nuk janë marrë parasysh, ai ka kërkuar edhe takim me Ministren, por që nuk  shkuar. Më në fund bënë peticion, por drejtori i përgjithshëm i burgjeve e izoloi me tre muaj pa asnjë dokument, në momentit që ai iu nënshtruar një peticioni për plotësimin e kërkesave”, tha Morava.

Ndërkohë ai tregon se më pas ai djali është transferuar në një burg tjetër.

I ftuar në “ABC-ja e mëngjesit”, avokati Saimir Visha tha se vendimi për grevë e urisë merret në rastin më ekstrem.

“Me grevë urie arrihet piku në rast kur administrata e burgjeve është indiferente. Dhe besoj që Drejtoria e Burgjeve është treguar. Një vendim dënimi është kufizim i lirisë, por jo të mohohen kontaktet me familjarët.

Një të dënuari i takon deri në 30 ditë leje në vit. Unë mendoj që ka kohë për të reflektuar pasi gjendja në burgje është e mjerueshme. Është hequr dispozita e cila për shkak të gjendje së rëndë shëndetësore ditët e fundit të jetës t’i kalojë pranë familjes”, tha ai.

Sakaq në një lidhje me “Skype” për “ABC-ja e mëngjesit”, Elsa Ballauri nga grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut theksoi se ka mungesë të humanizmit dhe një mungesë të profesionalizmit.

“Mesa duket nuk është kuptuar thelbi që duhet ndihmuar për rehabilitim. Historia e burgjeve në Shqipëri është shumë kontroverse. Nëse humbet simbolika e lidhjes njerëzore, atëherë këto sjellin probleme në demokraci. Por nuk është vetëm institucioni përgjegjës ndaj burgjeve për të kryer detyra të tilla. Ata njerëz që e drejtojnë duhet të tregohen profesionalistë.

Mendoj se ajo që po na vret si shoqëri është psikologjia që vazhdojmë të ngremë se ata njerëz duhet të dënohen. Kjo është një nga problemet më të mëdha që duhet sqaruar. Duhet të kuptojmë se si realisht funksionojnë burgjet dhe në lidhje me edukimin ka një problem shumë të madh”, tha Ballauri.

Gjatë bisedës me gazetarin Enkel Demi, avokati Visha shtoi se burgjet vazhdojnë me përmasat e një stalle.

“Kemi një spital i cili nuk ka specializimin e duhur për nevojat shëndetësore, familjarët janë ato që shpeshherë blejnë medikamente. Mua më shqetëson fakti që nuk respektohen pikat që i takojnë. Kur një i dënuar apo qytetar shkon drejt grevës, të ka lajmëruar për kushtet të cilat i mungojnë. Ne i kemi burgjet e mbyllura, mungesa e familjarëve, edhe në kohën e Enverit i burgosuri shkonte në punë”, tha ai.

Duke iu bashkuar diskutimit Ballauri tha se ideja e burgjeve në shoqërinë shqiptare u krijua si një gjë e tmerrshme.

“Ligjet janë të bëra, por problemi qëndron se si zbatohen”, tha më tej Ballauri.

Ndërkohë avokati shtoi se rritja e dënimit në raport të kundërt me faktit nuk e ndihmon apo parandalon një situatë të tillë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!