Çfarë po ndodh? Kievi paralajmëron sulm rus në Moldavi

schedule08:27 - 2 Maj, 2022

schedule 08:27 - 2 Maj, 2022

Sulmet nga forcat ruse në Odesa dhe objektivat e tjera në Ukrainën jugore ditët e fundit kanë bërë që Kivei të nxjerrë përfundimin se Moska synon të kontrollojë hyrjen në Detin e Zi.

Për të arrirë objektivin për kontrollin e Detit të Zi, Rusisë do t’i duhet të hyjë në Moldavi, thonë zyrtarët e Ukrainës.

Burime ushtarake ukrainase, të cituara nga Times of London, shprehën besimin se “Kremlini tashmë ka vendosur të sulmojë Moldavinë dhe se ka shumë indikacione “se një sulm i tillë do të ndodhte së shpejti.”

Këto zhvillime detyruan qeverinë moldave të braktisë neutralitetin, të dënojë pushtimin rus dhe të mbajë anën e Perëndimit, duke kërkuar në këtë mënyrë mbështetje kundër agresionit rus.

Megjithatë aftësia mbrojtëse e vendit është e vogël, pasi ushtria e Moldavisë vlerësohet të ketë pak më shumë se 3000 ushtarë.

Zaporizhia-Ukrainasit pretendojnë se zmbrapsën sulmet ruse

Fakti që operacionet ushtarake ruse nuk kufizohen vetëm në frontin lindor për pushtimin e plotë të Donbasit, duket edhe nga informacioni se forcat pushtuese vazhdojnë sulmet e tyre përtej kësaj zone.

Ushtria ukrainase tha mbrëmë se kishte zmbrapsur sulmet e forcave ruse në qytetin qendror të Zaporizhia, në perëndim të Donbass, i cili ka qenë në shënjestër herë të tjera ditëve të fundit.

Sipas agjencisë ukrainase të lajmeve UNIAN, duke cituar guvernatorin e Zaporizhia Oleksandr Staroukh, forcat që mbrojnë qytetin iu përgjigjën sulmeve ruse duke forcuar pozicionet e tyre mbrojtëse dhe duke pritur vazhdimin e operacioneve të ushtrisë pushtuese.

Në të njëjtën kohë, nga Kievi u njoftua se shërbimet e sigurisë së vendit kishin arritur të “çmontonin” një rrjet spiunësh rusë.

Sipas Oleksiy Arestovich, i cili është këshilltar i presidencës ukrainase, një nga qëllimet e grupit rus ishte të rrëzonte një avion pasagjerësh mbi Rusi dhe Bjellorusi dhe të fajësonte Ukrainën për këtë./abcnews.al/