Gazetari i Abc, Juxhin Mustafaraj, ka zbardhur në “Radari Informativ” të gazetares Juli Xhokaxhi, atë që ndodhi gjatë ditës së premte në selinë e PD pas vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila njihte ndryshimet në statutin e Kuvendit të 11 Dhjetorit.
Mustafaraj tha se pas vendimit anëtarët e Komisionit të Rithemelimit kanë hyrë në selinë e PD, bashkë me ta edhe ish-kryeministri Sali Berisha, të cilët kanë zhvilluar një takim edhe me pjesën tjetër të demokratëve të kryesuar nga kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj.
Sipas Mustafarajt ajo që është vënë re jo vetëm gjatë ditës së premte por pas zgjedhjeve të 6 marsit është gjuha dhe retorika e butë që po përdoret ndaj kundërshtarit brenda partisë.
“Komisioni i Rithemelimit nuk do të ketë një seli të dytë veç asaj të PD. Zoti Berisha ka lajmëruar një mbledhje në selinë e PD. Nëse do të ketë vendimmarrje ose jo pritet të shohim pas zhvillimit të PD. Sali Berisha nuk ka kërkuar të ketë përplasje të tjera mes demokratëve, ka udhëzuar një pjesë të anëtarëve të Rithemelimit të shkojnë në selinë e PD. Anëtarët i kanë kërkuar kryetarit të komanduar të vijë në selinë e PD dhe i kanë kërkuar që t’i vendosë një zyrë për të diskutuar për të ardhmen e PD. Takimi është zhvilluar në zyrën e Seekretarit të PD Gazmend Bardhi. Ajo që kam konstatuar sigurisht me udhëzim të zotit Berisha, edhe vetë komisioni i Rithemelimit ka pasur dijeni se Kuvendi i 11 Dhjetorit do të njihej nga gjykata. Ajo që pamë edhe sot nga Sali Berisha është se ka hequr etiketimet ndaj ish-kreut të PD. Sali Berisha që pas zgjedhjeve të 6 marsit ku treguan fuqinë brenda PD-së ka qenë vazhdimisht i kujdesshëm në sjelljet e tij në publik me retorikën, jo vetëm me Bashën por me të gjithë anëtarët e tjerë të PD”, tha Mustafaraj.
Gjithashtu Mustafaraj ka zbardhur dhe bisedën e bërë mes Alibeajt dhe Berishës, për të ardhmen e PD.
“Kam mësuar se ajo që zoti Alibeaj i ka bërë të ditur zotit Berisha është se i ka thënë që pas vendimit të Gjykatës dhe me shumicën në PD ai mund të marrë drejtimin e partisë, por koha do të tregojë se me non-grata nuk mund të vihet në pushtet”, tha gazetari Mustafaraj në “Radari Informativ.
/Abcnews.al/