Analisti Mentor Nazarko, në një intervistë për “Tirana Live” komentoi arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri për shitblerje votash. I pyetur se çfarë ndodh me garën, analisti tha se ai mbetet një kandidat dhe për të drejtën për të kandiduar vendos gjykata.
“Mendoj se drejta për t’u zgjedhur nuk është e kushtëzuar nga një veprim gjyqësor kështu që është kandidat derisa të ketë një vendim që i ndalon të drejtat kushtetuese.”, tha Nazarko ndërsa theksoi se policia duhet të ketë prova për të justifikuar arrestimin për shkak të situatës.
“Besoj se për shkak të ndjeshmërisë së subjektit, të zonës në të cilën kandidon, përfshirjes së Greqisë në ato zgjedhje, mendoj se organet ligjzbatuese duhet të kenë patur prova të forta për ta justifikuar një veprim të tillë një ditë paras zgjedhjeve. Në disa aspekte të tjera, veprimtaria e këtij kandidati ka shkelur ligjin shqiptar.
Kjo që po ndodh është diçka që rezonon me atë që është ndjeshmëria e përgjithshme. Ky është një kandidat që është duke shkelur ligjin, duke prishur atmosferën e pajtimit, mirëkuptimit në Himarë por do të duhet theksuar që përkundrejt tij, për shkak të delikatësisë në zonën që garohet duhet të ketë prova të forta që ta justifikojnë një veprim të tillë.
Duhet menduar se ka pasur në kurriz prova dhe përgjime që e justifikojnë veprimin e policisë.”, tha Nazarko./abcnews.al