Çfarë na pret? Mjeku: Të sëmurët kronikë të vaksinohen kundër gripit dhe Covid-19

schedule09:00 - 25 Nëntor, 2021

schedule 09:00 - 25 Nëntor, 2021

Dr. Adrian Jorgji, pneumolog në Spitalin Amerikan 3 ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” , ku parashikoi një periudhë më të vështirë gjatë muajve të dimrit jo vetëm prej virusit por dhe gripit. Ai thotë se duhet treguar kujdes maksimal pasi pas kalimit të virusit, organizmi është më i dobët dhe mund të jetë më i prekshëm nga virozat e tjera.

“Ka mjaft viroza, gripi ka filluar, covidi është nëpër këmbë, për mua është fillimi akoma. Gripi fillon, ngrihet në fund të dhjetorit deri në fillim janari, arrin kulmin në shkurt dhe mars. Uroj që vdekshmëria të mos jetë e lartë, e ndërlikuar do të jetë sepse do të kemi bashkëjetesë të Covidit me gripin. Realiteti është që nuk ka përkujdesje ndërmjet njerëzve, situata nuk do të jetë e mirë e parashikoj sepse do shumë kujdes.

Nuk është vetëm gripi por dhe virozat e tjera, është covid-i me një formë shumë më tepër infektuese prandaj kujdesi duhet të jetë maksimal. Kini parasysh dhe mbivendosjen e infeksioneve, mbi një Covid një grip, apo një sapo i shëruar nga covid-i, të sëmuret me grip.“, theksoi doktori.

Mjeku rekomandon bërjen e vaksinës ndaj Covid-19 por dhe asaj të gripit pasi siç theksoi ai, gripi mund të jetë një rrezik për njerëzit me sëmundje të ndryshme kronike. Jorgji shton se do të bashkëjetojmë me koronavirusin pasi edhe pse po zhvillohen vaksina, virusi ka tendencë që të veprojë ndaj tyre.

“U bënë vaksinat në mënyrë emergjente, dhe vaksina po aplikohet në kohë pandemie, kur virusi është në zhvillim dhe sipër. Nuk reagon vetëm vaksina ndaj virusit por dhe virusi ndaj vaksinës. Të vaksinuarit në kohë pandemie, mund të krijojë nga ana shkencore premisën edhe për krijimin e mutacioneve të tjera.Virusi do të kërkojë të mbrohet siç kërkojmë neve të mbrohemi.

Këto vaksina kanë një efekt kohor deri në 6 muaj, vaksina e gripit kaq mirë e njohur nuk të mbron më tepër se kaq, dhe vetë virusi ndryshon çdo vit. Sa më tepër me Covid-in, një fenomen sapo i shfaqur, pak i njohur kështu që kujdesi duhet të jetë maksimal.”, theksoi mjeku.

/abcnews.al