Viti 2019 ishte duke u mbyllur, kur në Kinë u shfaq një virus misterioz i quajtur në vonë SARS- Cov-2. Më 26 dhjetor Zhang Jixian, një mjek në Spitalin Krahinor të Hubeit, regjistroi 7 raste me një pneumoni të pazakontë, 4 prej të cilave kishin lidhje me tregun e kafshëve të gjalla në Huanan, në Vuhan.
Autoritetet e mbyllën tregun më 1 janar 2020, por ishte shumë vonë. Infeksioni ishte përhapur tashmë në Vuhan dhe gjithë Kinën. Studimet e mëvonshme, kanë sugjeruar se që në fillim të këtij viti virusi ishte përhapur pa u vënë re edhe në Evropë dhe Amerikë.
Ndaj, në fillim të vitit 2020 nisi të përhapej në mënyrë të shfrenuar. Janë më shumë se 70 milionë raste zyrtare, ndërsa rastet e reja aktualisht janë mesatarisht 4.3 milionë në javë. Ndoshta, 7 milion njerëz janë përballur për më shumë se tre muaj me pasojat e të ashtuquajturit“Covid i Gjatë”.
Më keq akoma, më shumë se 1.6 milionë nga të prekurit tashmë kanë vdekur, ndërsa numri javor i viktimave në mbarë botën tani e kalon shifrën 75.000 vetë, duke tejkaluar edhe rekordin e vendosur në muajin prill.
Covid-19 e vuri shumë shpejt nën kontroll jetën tonë. Në të gjithë sektorët, përfshirë furnizimin me ushqime, sistemin financiar, dhe mbi të gjitha, shkenca pati simptoma të dobësisë. Shumë shoqëri duket se nuk e kuptuan natyrën eksponenciale të përhapjes së një virusi.
Në pranverë, kur numri i rasteve u dyfishua çdo 5-6 ditë, shumë vende nuk e kuptuan se shumë shpejt sistemet e tyre spitalore do të shkonin drejt kolapsit. Italia e Veriut ka një sistem shëndetësor të përparuar. Por ai kaloi në kolaps përgjatë muajit mars, si pasojë e rasteve të shumta.
E megjithatë, vendet e tjera u vonuan në marrjen e masave. Britania hyri në bllokim dy javë pas Italisë. Në atë kohë, infeksionet ishin 4 ose 8-fishuar. Por edhe pas atij dështimi, në vjeshtë të njëjtat vende u goditën sërish ashpër. Pavarësisht se patën muaj të tërë për t’u përgatitur, qeveritë nuk arritën të parandalonin valën e dytë goditëse të pandemisë.
Një tjetër shenjë e brishtësisë, ishte se sa lehtësisht u mbushën boshllëqet e mëdha të shkencëtarëve në të kuptuarit e Covid -19,nga oportunistët teoricienë të konspiracionit. Interneti u mbush me pretendimet se maskat nuk ofrojnë asnjë mbrojtje, se sëmundja është shkaktuar nga rrezatimi i rrjetit 5G, apo se Covid-19 nuk ishte më i keq se gripi, dhe se
nëse po ju vret ky është faji i Bill Gates dhe i skemës së tij djallëzor për të shitur më pas vaksinat.
Kësaj fushate iu bashkuan politikanët populistë. Në Amerikë, Donald Trump, e shpërfillte shpesh seriozitetin e sëmundjes, ose promovonte kura të pa testuara si hidroksiklorokina. U bë e modës që të mburrej Suedia, si një vend që arriti të frenojë Covid -19,duke respektuar lirinë individuale dhe duke shmangur bllokimin.
Por edhe aty rastet janë shtuar në mënyrë alarmante. Mbreti suedez e pranoi hapur në një fjalim para kombit me rastin e Krishtlindjeve, se strategjia e këtij vendi në menaxhimin e pandemisë ka “dështuar”.Ndërkohë, pandemia ka zbuluar edhe shkallën në të cilën shoqëritë kanë një tolerancës të vogël ndaj rreziqeve të panjohura.
Kur Kina iu përgjigj pandemisë me karantinën e rreptë në një pjesë të madhe të Hubeit, më 23 janar, shumë analistë – përfshirë edhe të“The Economist”-shkruan se votuesit liri-dashës në demokracitë perëndimore nuk do të toleronin masa të tilla dragoniane.
Por siç rezultoi më pas, dhe me pak përjashtime, përfshirë Amerikën rurale, ajo çfarë ata nuk do të toleronin ishte mëdyshja e qeverisë. Pavarësisht protestave të çuditshme kundër maskave, masave kufizuese dhe bllokimeve, masat e ashpra kanë qenë popullore.
Lufta kundër kësaj sëmundjes, ka ardhur me koston e shtimit të problemeve të shëndetit mendor, të vështirësive ekonomike, të rritjes së pabarazisë, me probleme në shërbimin shëndetësor lidhur me sëmundje të tjera, po ashtu edhe në sistemin arsimor.
Megjithatë, përkundër këtyre shenjave të brishtësisë, e rëndësishme është të theksojmë edhe suksesin më të madh në këtë pandemi:atë të shkencës. U deshën 20 vjet për të licensuar një vaksinë kundër poliomielitit. Shkencëtarët e sotëm e kanë bërë punën në më pak se një vit.
Mbetet shumë për t’u zbuluar mbi Covid-19. Dhe teksa 2020 po ikën, një variant i ri i virusit është shfaqur në Britani. Ai duket se është deri në 70 për qind më shumë infektiv se varianti fillestar. Ky varianti ri ishte shfaqur edhe në disa vende të tjera.
Por, falë punës së shkencëtarëve,ka arsye të mira të mendohet se si sot një vit, pandemia do të jetë mposhtur. SARS-COV -2 do të vazhdojë të ekzistojë. Ai ende do të vrasë. Miliarda njerëz duhet të vaksinohen kundër tij. Por më në fund, njerëzimi do të jetë çliruar nga tentakulat e tij asfiksuese. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

