Çfarë mungon? Zbardhen pyetjet e Kuvendit drejtuar Komisionit të Venecias për hetimin e Metës

schedule21:00 - 10 Janar, 2020

schedule 21:00 - 10 Janar, 2020

ABC News siguron pyetjet e Kuvendit përmes kryetarit Gramoz Ruci, dërguar Komisionit të Venecia për hetimin e presidentit të Republikës Ilir Meta dhe emërimin e 2 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo që bie në sy në letrën drejtuar Komisionit të Venecias, është se Kuvendi ka kërkuar opinionin e këshilluesve të çështjeve kushtetuese vetëm me 6 pyetje, ndërkohë që në lidhje me këtë, ishin formuluar 10 pyetje, 5 prej të cilave nga opozita.

Partia Socialiste vendosi në nëntor të vitit të kaluar se do të çonte sërish Presidentin Ilir Meta në Komisionin e Venecias, me qëllim interpretimin e konfliktit për Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu edhe Presidenti Meta do i drejtohet Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, për procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Metës zgjedhjet janë të bëra pa garë, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilën presidenti ka akuzuar kreun e KED Ardian Dvorani.

Ja pyetjet e Kuvendit drejtuar Komisionit të Venecias: 

Ndërsa komisioni hetimor vijon punën sipas objektit të hetimit, ka lindur nevoja të kërkohet mendimi i specializuar në lidhje me disa çështje mbi sa parashtrohet me sipër. Konkretisht, Kuvendi i Shqipërisë do të vlerësonte shumë opinionin e Komisionit të Venecias, si për pyetjet sa më poshtë, ashtu edhe për çdo çështje tjetër që lidhet me rastin në shqyrtim:

  1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës se kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin? Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj” siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?
  2. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve e për një proces të rregullt ligjor’? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës. 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?
  3. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?
  4. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
  5. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?
  6. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për tu shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin?

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!