Çfarë kostoje janë të gatshëm të paguajnë evropianët për mbrojtjen e Ukrainës?

schedule15:02 - 11 Shkurt, 2022

schedule 15:02 - 11 Shkurt, 2022

Nga Ivan Krastev & Mark Leonard “European Council on Foreign Relations

Kriza Rusi-Ukrainë, mund ta ndryshojë në mënyrë drastike mënyrën se si mendojnë evropianët mbi sigurinë e tyre. Aktualisht ka shumë spekulime, nëse Rusia do të pushtojë sërish Ukrainën. Dhe nëse e bën këtë, si do të reagojnë evropianët.

Pjesa më e madhe e debatit publik mbi këtë krizën, i ka portretizuar qeveritë evropiane si të përçara dhe të dobëta. Megjithatë, një sondazh pan-evropian i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) në fundin e muajit janar, tregon se midis votuesve evropianë ekziston një konsensus befasues në lidhje me këtë krizë.

Evropianët në veri, jug, lindje dhe perëndim, bien dakord se Rusia ka të ngjarë ta pushtojë Ukrainën brenda këtij viti, se vendet evropiane kanë për detyrë ta mbrojnë Ukrainën, dhe se ky është një problem evropian. Sondazhi përfshiu qytetarë nga Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Rumania dhe Suedia, vende që së bashku përbëjnë gati 2/3 e popullsisë së Bashkimit Evropian.

Ky sondazh tregon se presidenti rus, Vladimir Putin, ka arritur të vendosë në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë evropiane. Për habinë e shumë analistëve – dhe me shumë gjasa të vetë Putinit – kjo krizë ka nxitur një zgjim të interesit gjeopolitik në mesin e evropianëve.

Rezultatet e sondazhit, tregojnë 4 elementë kryesorë:që lufta në Evropë nuk është më e paimagjinueshme; që ne duhet t’i kundërpërgjigjemi agresionit rus; se frika më e madhe e evropianëve lidhur me krizën ndryshon nga vendi në vend; dhe se fundmi, që qeveritë evropiane duhet të përgatiten për skenarë të ndryshëm të paparashikuar, për t’ua lehtësuar barrën qytetarëve të zakonshëm.

73 për qind për qind e të anketuarve në Poloni, e shohin si të mundshëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Po kështu mendojnë 64 për qind e qytetarëve në Rumani, 55 për qind në Suedi, 52 për qind në Gjermani, 51 për qind në Francë dhe Itali dhe 44 për qind në Finlandë.

Për arsye të historisë dhe pozitës gjeografike, të anketuarit në Poloni e shohin si një krizë ekzistenciale perspektivën e një pushtimi rus. Ndërkohë në vendet e tjera të anketuara, ka një ndarje interesante brezash.

Kështu në Francë dhe Suedi, njerëzit mbi 60 vjeç janë më të prirur që ta shohin si shumë të mundshëm një pushtim rus të Ukrainës. Në Rumani, Itali, Gjermani dhe Finlandë, më i shqetësuar është brezi më i ri, pra të lindurit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Putin ia ka dalë mbanë në përpjekjen e tij për ta tërhequr vëmendjen e Evropës, por kjo e ka pasur një kosto. Siç tregon sondazhi i ri i ECFR, më shumë se gjysma e evropianëve bien dakord se qasja e Rusisë ndaj Ukrainës, përbën një kërcënim të sigurisë për Evropën në tërësi dhe në një sërë fushash.

Një sondazh i ECFR i kryer në fund të vitit të kaluar, tregonte se shumica e evropianëve mendonin se çdo “Luftë e Ftohtë” e ardhshme, do të ishte një përballje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ose Kinës. Dhe evropianët, do të ishin më tepër spektatorë sesa pjesëmarrës në këtë konflikt.

Në fakt, kur nisi grumbullimi i trupave ruse në kufi me Ukrainën, pati shumë spekulime në media, se evropianët nuk do të shqetësoheshin për këtë krizë. Por sondazhi i fundit, zbuloi

se ky supozim ishte i gabuar. Është ndoshta e vërtetë, që shumë evropianë e shohin ende Ukrainën si të madhe dhe kaotike, sesa si të vogël dhe heroike.

Megjithatë, shumica e tyre pajtohen se Ukraina duhet të mbrohet. Pyetja është:kush duhet ta bëjë këtë? Gati në të gjitha vendet e anketuara, shumica e të anketuarve e shohin NATO-n si organizatën e pozicionuar më mirë për të mbrojtur Ukrainën.

Çuditërisht, këtu bën përjashtim Polonia, ku pak më shumë njerëz e shohin në këtë rol BE-në. Mund të mos jetë befasues fakti, që kërcënimi i pushtimit rus ka ringjallur Perëndimin e dikurshëm të epokës së Luftës së Ftohtë.

Por ai ka sfiduar gjithashtu perceptimin popullor se kur flitet fjalë për sigurinë, evropiano-lindorët janë gati ta anashkalojnë BE-në, pasi ata e shohin SHBA-në si partnerin e tyre të vetëm të besueshëm.

Në fakt, në të gjitha vendet e anketuara, përveç Gjermanisë, shumica e njerëzve besojnë se agresionit rus duhet t’i kundërpërgjigjen si NATO ashtu edhe BE-ja. Është po ashtu e vërtetë se evropianët në këtë rast kanë diferenca. Të anketuarit në Poloni, Gjermani, Rumani dhe Itali i besojnë kryesisht NATO-s për mbrojtjen e Ukrainës.

Ndërkohë ata në Francë, Suedi dhe Finlandë, i besojnë kryesisht BE-së. Ndërsa shumica e evropianëve besojnë se Ukraina duhet të mbrohet, ekzistojnë dallime të mëdha mbi atë se si duhet që ta bëjë këtë. Ndërsa 65 për qind e polakëve besojnë se Polonia duhet të dalë në mbrojtje të Ukrainës, pikëpamja dominuese midis të anketuarve në Finlandë, Itali dhe Gjermani, është se vendet e tyre nuk duhet të merren me këtë gjë.

Po ashtu sondazhi e bën të qartë, se ndërsa shumica e evropianëve i besojnë ende NATO-s për mbrojtjen e Evropës, “NATO” nuk është më një sinonim i “Shteteve të Bashkuara”. Evropianët i besojnë më shumë aleancës për mbrojtjen e interesave të tyre sesa SHBA-së.

Dhe kjo mund të pasqyrojë faktin, se ata e shohin gjithnjë e më shumë Amerikën si një fuqi që angazhohet me kohë të pjesshme në Evropë. Në të gjitha vendet e anketuara, përveç Polonisë dhe Rumanisë, më shumë të anketuar besojnë se nëse Rusia e pushton sërish Ukrainën, Gjermania është në një pozicion më të mirë sesa SHBA-ja për të mbrojtur interesat e qytetarëve të BE-së.

Në kundërshtim me stereotipet e zakonshme, në Gjermani janë mbështetësit e partive të qendrës së majtë në qeveri dhe jo Unioni Kristian Demokrat (CDU), ata që shprehin gatishmërinë më të madhe për të mbrojtur Ukrainën.

Në Francë, mbështetësit e presidentit Emmanuel Macron dhe sfidueses së tij të qendrës së djathtë, Valérie Pécresse, duan që Franca ta mbrojë Ukrainën, ndërsa e kundërshtojnë këtë gjë mbështetësit e liderëve nacionalistë si Marine Le Pen dhe Eric Zemmour.

E ngjashme është situata edhe me mbështetësit e të gjitha partive kryesore në Itali, që perceptohet gjerësisht si një nga vendet anëtare të BE-së më simpatizuese ndaj Rusisë. Ata që votojnë për Partinë Demokratike janë më të eturit (55 për qind) që ta shohin vendin e tyre të dalë në mbrojtje të Ukrainës.

Ndërkohë, 54 për qind e atyre që votojnë për Vëllezërit e Italisë (Fratelli D’Italia) të ekstremit të djathtë, thonë se vendi i tyre nuk duhet të mbrojë Ukrainën. Ndërsa mbështetësit e Legës të Matteo Salvinit, po të ekstremit të djathtë, janë të ndarë në mënyrë të ngjashme mbi këtë çështje.

Gjermanët, finlandezët, rumunët dhe italianët, kanë frikë se Rusia do ta ndërpresë furnizimin e tyre me energji. Ndërkohë, qytetarët francezë dhe ata suedezë janë më të shqetësuar për sulmet kibernetike, ndoshta për shkak të përpjekjeve të fundit të Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e tyre.

Po çfarë çmimi janë të gatshëm të paguajnë evropianët për të mbrojtur Ukrainën?

Strategjia e Perëndimit për ta penguar Rusinë të nisë një pushtim tjetër të Ukrainës, është ta bëjë sa më të kushtueshme për rusët një ndërhyrje të tillë.

Dhe këtu përfshihet një përzierje e masave të parandalimit ushtarak në Evropën Lindore, dërgesave të armëve që synojnë të forcojnë ushtrinë ukrainase, dhe vendosjen e një sërë sanksionesh në fusha të ndryshme. Suksesi i çdo strategjie të fokusuar tek sanksionet, do të varet nga gatishmëria e evropianëve për të bërë sakrifica ekonomike.

Dhe Polonia, Suedia dhe Rumania, janë të vetmet vende të anketuara, në të cilat të anketuarit që janë të gatshëm të mbajnë barrën e mbrojtjes së Ukrainës (përfshirë kërcënimin e veprimit ushtarak rus), janë më të shumtë se ata që nuk janë gati për diçka të tillë.

Ndërkohë qytetarët francezë dhe ata gjermanë, janë ndër më pak të gatshmit që ta mbajnë mbi shpinë këto barrë. Ata besojnë se rreziqet e një qasje të tillë, janë më të mëdha sesa përfitimet. Javët e ardhshme do të provojnë nëse evropianët mund të kalojnë nga një botë e formësuar nga fuqia e butë, në një botë të formësuar nga qëndrueshmëria. Mënyra se si do ta përballen me këtë test, do të jetë thelbësore për të ardhmen e sigurisë evropiane.

*Marrë me shkurtime

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!