Paolo Di Canio ka qenë një nga personazhet më të çuditshëm të futbollit. Klasiku i tipit, të cilin e dashuron ose nuk dëshiron ta shohësh me sy. Futbollist fantastik, i rritur me Lazion në zemër dhe bindjet ultra të djathta, një “luftëtar” në fushën e blertë, karizmatik dhe origjinal me komentet e tij, provokues i madh dhe shumë çmenduri të kryera në karrierë.
Për shumëkënd një mit dhe simbol, për të tjerë thjesht një idiot dhe debil. I vetmi që ka guxuar të festojë si lacial poshtë tribunës së “Curva Sud”, aty ku gjenden ultrasit “armiq” të Romës. Di Canio ka luajtur për Lazion, Juventusin, Napolin, Milanin, Celtic, Sheffield Wednesday, West Ham, Charlton për t’u rikthyer përsëri te Lazio.
Nga të gjitha këto klube hapësirën më të madhe në zemër ia ka dhuruar West Ham-it. Di Canio është një legjendë në ato anë dhe idhull absolut i tifozërisë, një prej më të zjarrtave në ishull. Një ndeshje shtyu arbitrin në fushën e blertë, duke e rrëzuar, gjë për të cilën u dënua me 11 ndeshje, ndërsa një rast tjetër tregoi zemrën e tij të madhe.
Ishte 18 dhjetori i vitit 2000 dhe në “Goodison Park” luhej ndeshja Everton-Uest Hem. Rezultati është 1-1 dhe ora po i ofrohej minutës 90’. “Çekiçët” sulmonin në kërkim të golit të fitores. Pol Gerard, portieri vendas, bëri një dalje të dëshpëruar, duke shpëtuar për një moment portën. Tërheqja muskulore bëri të veten, Gerard u dëmtua, por aksioni ishte i shpejtë dhe askush nuk e kishte mendjen tek ai. Përveç njërit, Paolo Di Canios.
Një lojtar kroson, porta e Evertonit është bosh, por Paolo nuk mund të shënonte në atë mënyrë. Ngriti duart lart, kapi topin, bëri me shenjë nga portieri dhe u nis drejt tij. Askush nuk u besonte syve, një mbrojtës i Evertonit e përgëzonte, ndërsa ai moment bëri xhiron e botës dhe e ktheu Di Canion në një legjendë. Gjesti i tij do të shpallej atë vit gjesti më i bukur “fair-play”.
“Le të themi të vërtetën, nuk mund të shënoja. Unë kam qenë gjithmonë një njeri i mirë. Pse vendosa të veproj ashtu? Në periudhën e Krishtlindjes të gjithë bëhen njerëz më të mirë… Edhe sot vazhdoj të marr mesazhe nga tifozë të Evertonit, të cilët ma kujtojnë gjithmonë atë gjest. Ka nga ata që kanë qenë të vegjël, sot janë rritur dhe më shkruajnë akoma. Kurrë nuk është diçka e keqe të mbahesh mend për mirë”, theksonte Di Canio përpara ca kohësh.
Rreth kësaj çështje ka folur edhe Harry Redknapp. Trajneri i njohur ndodhej në stolin e West Ham atë ndeshje dhe e kujton në këtë mënyrë ngjarjen e ndodhur. “Oh, Zot! Ditën kur Di Canio mori topin kundër Evertonit për të ndihmuar Pol Gerard… Dola nga fusha në fund të ndeshjes me një shprehje që dukej sikur donte të thoshte: ‘Çfarë bëri ai?’.
Stjuart Pirs erdhi si një rrufë në dhomat e zhveshjes dhe më tha: ‘Mbaje larg meje, dakord? Përndryshe do e vras, do ia çaj kokën në dysh!’ Pas dy minutash kisha intervistë direkte në Sky dhe gazetari më tha: ‘Çfarë dite e madhe për futbollin! Duhet të jesh krenar për Paolon!’, dhe unë që iu përgjigja: ‘Po, sigurisht, e mrekullueshme!’. Realiteti ishte ndryshe, të gjithë donim ta vrisnim në ato momente”, rrëfen Harry Redknapp. /abcnews.al