Çfarë është Transnistria dhe pse ka kaq shumë rëndësi për Rusinë?

schedule11:00 - 29 Prill, 2022

schedule 11:00 - 29 Prill, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Kur liderët rusë përmendin “popullatat e shtypura rusishtfolëse”, shumë ish-vende sovjetike mezi vetë-përmbahen. Presidenti Vladimir Putin e ka përdorur këtë si justifikim për të pushtuar Ukrainën.

Fokusi i fundit i Rusisë është Transnistria, një republikë e shkëputur në kufirin jugperëndimor të Moldavisë me Ukrainën. Të hënën, ministria e sigurimit të shtetit në Tiraspol, kryeqyteti i vetëshpallur i tij, u bombardua. Madje dy shpërthime të martën shkatërruan antenat e radios ruse në fshatin Maiac.

Mund të kenë qenë sulme me flamur të rremë, por qeveria e Moldavisë është e frikësuar se vendi mund të përfshihet në luftë.

Çfarë roli mund të luajë Transnistria?

Muajin e kaluar, konflikti i Transnistrias shënoi 30 vite. Në vitin 1990, ndërsa Moldavia po përpiqej të shkëputej nga Bashkimi Sovjetik, rajoni i saj rusisht-folës shpalli pavarësinë. OKB-ja njohu pavarësinë e Moldavisë në mars 1992; luftimet me separatistët e mbështetur nga Rusia në Transnistria u intensifikuan menjëherë.

Lufta civile, e cila zgjati 5 muaj shkaktoi 1000 viktima, por nuk arriti të zgjidhë statusin e territorit. Transnistria, vendi në të cilin jetojnë 450,000 banorë, është bërë një terren i vështirë rajonal. Rajoni përdor pjesën më të madhe të infrastrukturës publike të vendit, duke përfshirë hekurudhat dhe shërbimin postar, raporton abcnews.al.

Moldavia gjithashtu mbështetet tek Transnistria për pjesën më të madhe të furnizimit me energji. Transnistria, e cila ka një bazë industriale më të madhe se vetë Moldavia, përfiton gjithashtu nga marrëveshje tregtare e Moldavisë me BE-në.

Baronët vendas kanë përfituar nga afërsia me portin e Odessa në Ukrainë. Gjëja e fundit që ata duan është të “çlirohen” nga rusët. Por Transnistria mund të mos ketë shumë zgjedhje. Rusia ka një kontroll të konsiderueshëm politik, siguron gaz falas dhe ka vendosur një forcë të përhershme prej 1500 trupash dhe pothuajse 20,000 tonë pajisje ushtarake të epokës sovjetike në territorin e saj.

Megjithatë, Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e vendit, siç ka bërë në të kaluarën me Gjeorgjinë, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, dhe së fundmi, në shkurt, për rajonet separatiste lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk.

Lufta në Ukrainë e ka vendosur Transnistrinë në qendër të vëmendjes. Më 22 prill Rustam Minnekayev, një gjeneral rus, tha se një goditje e suksesshme ushtarake përmes jugut të Ukrainës do t’i siguronte ushtrisë së tij akses në Transnistria, raporton abcnews.al.

Kjo do ta shkëpuste Ukrainën nga Deti i Zi, duke i dhënë një goditje të rëndësishme ekonomisë së saj. Do të mundësonte gjithashtu hapjen e një korridori tokësor, duke lejuar forcat ruse të sulmojnë Ukrainën nga perëndimi dhe të depërtojnë në veri.

Moldavia, një vend me rreth 2.6 milionë banorë, i cili nuk është as anëtar i NATO-s dhe as i BE-së, dhe për këtë arsye i mungojnë garancitë e sigurisë, po nxiton të deklarojë “neutralitetin” e saj.

Marrja në kontroll e Transnistrisë do të zgjeronte gjithashtu terrenin e Rusisë drejt Rumanisë, krahut lindor të NATO-s në rajon. Ky kërcënim mund të rrisë presionin mbi Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë për të arritur një marrëveshje paqeje sipas kushteve të Rusisë, sipas Stefan Wolff, profesor i sigurisë ndërkombëtare në Universitetin e Birminghamit, në Britani.

Tanket ruse nuk ka gjasa të futen në Transnistria, të paktën për momentin. Ata janë kryesisht të fokusuar në Donbas, në Ukrainën lindore. Krijimi i një rrugë përmes Odesës, portit kryesor të Ukrainës, do të ishte e vështirë: qyteti është shumë i fortifikuar. Rusia mund të shpresojë të sulmojë Transnistrinë fillimisht duke hapur një korridor tokësor që do të shkëpuste Odesën nga pjesa tjetër e Ukrainës.

Por në praktikë, kjo do ta linte vendin të ekspozuar ndaj forcave ukrainase. Territori ka një pistë avioni dhe depo të vjetra municionesh të vjetëruara, të cilat mund të përdoren por me kufizime.

Rusia, Ukraina dhe Moldavia kanë interes të veçantë për Transnistrinë.

/abcnews.al