Çfarë është, si diagnostikohet dhe si trajtohet Fibrilacioni Atrial – Dr. Shk. Alfred Nona – Spitali Amerikan

schedule16:36 - 17 Qershor, 2021

schedule 16:36 - 17 Qershor, 2021

Çfarë është Fibrilacioni atrial?

Fibrilacioni atrial (FA) është aritmia më e shpeshtë e zemrës, prek 2-4% të adulteve (të rriturve) ose 2% të popullatës.

Është një takiaritmi apo bradiaritmi (çrregullim dhe kaoticizëm i ritmit) e dhomave të sipërme të zemrës, gjë që bën humbjen e një tkurrje efikase të këtyre dhomave duke humbur eficencën kardike me gati 20% (humbje e kontributit atrial).

Cilat janë simptomat dhe si bëhet diagnostikimi i FA?

Një pjesë e mirë e pacientëve nuk kanë simptoma apo kanë simptoma të lehta, ndërsa pacientët e tjerë mund të kenë;

1) palpitacion aritmik

2) dispne (marrje fryme)

3) asteni (lodhje, këputje)

4) lipotimi

5) sinkope apo/edhe

6) dhimbje kraharori.

Përsa i përket diagnozës mbështetemi tek anamneza, egzaminimi objektiv, analizat e laboratorit, EKG-ja, Holter-EKG apo edhe ekokardiograma, të gjitha këto mjaftojnë në shumicën e rasteve, ndonjeherë thellohemi edhe me egzaminime të tjera.

Çfarë rrezikojnë pacientët që kanë FA dhe nuk kurohen?

Në radhë të parë 5-fishohet rreziku për

1) stroke (paralizë) që është komplikanca madhore e kësaj aritmie sepse kjo aritmi predispozon formimin e gjakut të mpiksur në brendësi të zemrës sidomos aurikulës së majtë.

2) shton vdekshmërinë e pacientit për shkak të “stroke” dhe insuficiencës kardiake nëse nuk trajtohet.

3) gati 20-30% e pacientëve me FA komplikohen me insufience kardiake.

4) cilësia e jetës dëmtohet rëndë në gati 60% të pacientëve

5) shton anksiozitetin dhe depresionin.

6) shton probabilitetin e demencës vaskolare.

7) shtrim në spital në 10-40% të pacientëve gjatë një viti.

Çfarë është strategjia e kontrollit të ritmit?

Nëse mjeku vendos që ta kthejë në ritëm normal (ritëm sinuzal) pacientin në bazë të karakteristikave strukturore të zemrës, shpeshtësisë së aritmisë, atriumit të majtë etj etj ateherë kryejmë kthimin nëpërmjet dy metodikave

1) kardioversionit farmakologjik pra përdorim medikamente në forme ev ose për os (tableta) dhe 2) kardioversion elektrik nëpërmjet defibrilatorit bifazik (DC schock).

Çfarë është strategjia e kontrollit të frekuencës kardiake (rrahjeve të zemrës)?

Nëse vendoset që pacienti do qëndrojë me aritmi, por me rrahje të kontrolluara dhe hollues gjaku, kjo quhet strategji e kontrollit të rrahjeve. Bëhet tek pacientë që ripërsërisin aritminë shumë shpesh apo kanë modifikime strukturore të rëndësishme të zemrës. Përdoren disa medikamente apo edhe shumë rrallë ablate and pace.

Të dyja strategjitë e lartpërmendura janë ekuivalente përsa i përket jetëgjatësisë së pacientit apo dhe verifikimit të stroke (paralizës).

Përse duhet të përdoren holluesit e gjakut?

Përdoren për të reduktuar në mënyrë të rëndesishme eventet tromboembolike cerebrale apo periferike që kjo artimi shkakton, gjithashtu shtojnë edhe jetëgjatësine e pacientit duke prandaluar stroke apo edhe insuficencen kardiake. Holluesit e gjakut janë antikoagulantët e vjetër apo antikoagulantët e rinj por asnjëherë aspirina apo clopidogrel që kanë tjetër rol.

Përse përdoret profilaksi?

Duke qenë që është shpesh një aritmi që përsëritet atëherë tentohet të parandalohet me medikamente, rezultatet gjithsesi janë mesatarisht të pranueshme me këto barna por jo që ndalojnë me përqindje të lartë verifikimin e ripërsëritjes së FA.

Çfarë roli ka ekokardiograma transesofageale?

Tek pacientë që kanë mbi 48 orë me FA jemi përballë dy rrugëve ose

1) ti hollojmë gjakun pacientit me hollues për > 3 javë ose

2) të kryejmë ekon me sonde, e cila përjashton nëse kemi gjak të mpiksur (tromb) në brendësi të zemrës (sidomos aurikulës dhe atriumit të majtë) dhe më pas të kryejmë kardioversionin elektrik (farmakologjiku në këtë kategori funksionon me pak). Pra përshpejtojmë procedurën e kthimit në ritëm normal.

Çfarë është ablacioni i FA?

Është një procedurë invazive që ka rezultur më mirë sesa anti-aritmikët për mbajtjen në ritëm normal por deri më tani ka përmirsuar

1) sintomatologjine

2) cilësinë e jetës dhe

3) tolerancën ndaj efortit por jo, jetëgjatësinë apo parandalimin e stroke të pacientëve, duke qenë procedurë invazive ka benefitet dhe rreziqet e saj.

Ju ftojmë të ndiqni intervistën e plotë të Dr. Shk. Alfred Nona, kardiolog në Spitalin Amerikan 1.

Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!