Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Çfarë duhet të dijë Evropa rreth Xi Jinping

schedule18:13 - 5 Mars, 2021

schedule 18:13 - 5 Mars, 2021

Nga Richard Mcgregor, Politico.eu

Vetëm një vit më parë, disa analistë perëndimorë po e përshkruanin shpërthimin e koronavirusit në Vuhan si “Çernobilin e Kinës”, ndërsa Xi Jinping po përpiqej me shumë vështirësi që ta mbante nën kontroll virusin që po përhapej me shpejtësi.

Moskontrolli i situatës mund të dëmtonte në mënyrë fatale pozitën e presidentit kinez. E megjithatë, ndërsa Xi po i afrohet fundit të mandatit të tij të dytë 5-vjeçar, ai është më i fuqishëm se kurrë – me një kontroll të sigurt të partisë së tij dhe në krye të të gjitha levave të politikave diplomatike dhe ushtarake për të vepruar jashtë vendit.

Besimi i ringjallur tek partia qeverisëse e Kinës dhe tek udhëheqësi i saj, mund të përmblidhen më së miri nga një frazë e re që ka zënë vend në  fjalimet e Byrosë Politike deri në komentet popullore:koncepti se “Lindja po ngrihet, ndërsa Perëndimi po bie”.

Zemërimi ideologjik që e mbështet këtë ide -sipas së cilës Shtetet e Bashkuara janë në rënie të përhershme, ndërsa shteti njëpartiak kinez është i pandalshëm në rritjen e tij – është ai që do të ushqejë politikat ekonomike të Xi për pesë vitet e ardhshme, me fokusin e tij tek një rritje ekonomike me cilësi të lartë, me energjinë e gjelbër dhe me shpenzime të mëdha në teknologji për ta bërë vendin të pavarur nga zinxhirët e huaj të furnizimit.

Xi ka arsye të mira për tu ndjerë arrogant. Në dallim nga çdo udhëheqës tjetër kinez që kur partia komuniste mori pushtetin në Kinë në vitin 1949, Xi nuk ka rivalë të identifikueshëm, dhe asnjë pasardhës të mundshëm.

Ai mund ta ketë zemëruar jo pak elitën politike në vitin 2018 kur me shumë pak konsultime, hoqi kufirin me 2 mandate të presidencës, duke e bërë vetveten udhëheqës të përjetshëm. Por të paktën në terma afatshkurtër, suksesi i Kinës në shtypjen e koronavirusit brenda vendit, e ka lejuar atë të shmangë kritikat nga brenda partisë.

Sulmet kundër Pekinit nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ndihmuan gjithashtu Xi Jingping brenda vendit, pasi e ringjallën besnikërinë dhe mbështetjen për udhëheqjen e tij. Në planin afatgjatë, Xi mund të jetë duke e zhytur Kinën në një krizë të plotë të trashëgimisë, në rast se ai vazhdon që të refuzojë të përcaktojë një afat se kur ka ndërmend që të japë dorëheqjen.

Deri më tani, nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të largohet nga pushteti në fundin e vitit 2022, kur partia të mbledhë  kongresin e saj, një ngjarje që ndodh një herë në 5 pesë vjet. Ndërkohë, mungesa e një pasardhësi të qartë, rrit gjithashtu shanset e një skenari makthi – një përçarje në kupolën e partisë – në rast se ai mund të jetë fizikisht i paaftë apo vdes gjatë kohës që është në detyrën e presidentit.

Ndërkohë, rivalët e brendshëm të Xi nuk kanë se ku të shkojnë. Ata ose kanë mbyllur gojën, ose janë pajtuar me programin e tij. Jashtë vendit, Xi po duket po aq i sigurt. Duke pasur parasysh kontrollin e fortë të sfidave të brendshme, kur presidenti dhe ndihmësit e tij kryesorë flasin për “betejën e gjatë” që kanë përpara, ata janë duke folur në fakt për politikën e jashtme – dhe më konkretisht për një përballje me Shtetet e Bashkuara.

Strategjia e Xi për të siguruar ngritjen e Kinës në kurriz të Perëndimit në rënie, përfshin ndëshkimin e vendeve të cilat ai i sheh se janë rreshtuar në anën e Uashingtonit në ndarjen e re gjeopolitike, si dhe në afrimin me lojtarët e tjerë -për shembull në Evropë, Azinë Juglindore dhe Amerikën e Jugut- që kanë potencialin për të vepruar si shtete të lëkundura.

Shumë qeveri dhe analistë të huaj e shohin politikën e jashtme agresive të Xi-së, të mbështetur nga diplomatët “luftarakë” kinezë si shumë të rrezikshme,pasi mund të përshkallëzohet në konflikte të hapura. Tashmë, Kina është në mosmarrëveshje të hapura me një numër vendesh, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Australinë, Japoninë, Suedinë dhe Indinë- vetëm sa për të përmendur disa.

Por pikëpamja nga Pekini është e ndryshme. Xi dhe të tjerët mburren me marrëveshjet e fundit tregtare me Evropën dhe vendet aziatike, me shtimin e investimeve të huaja dhe hyrjen e kapitalit në vend, me faktin që Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe që u rrit vitin e kaluar, dhe me aftësinë e vendit për të burgosur aktivistët e demokracisë në Hong Kong dhe Ujgurët në Xinjiang, pa paguar ndonjë kosto të konsiderueshme politike.

Shtojini këtyre kaosin dhe dhunën që shoqëroi tranzicionin e fundit të pushtetit në SHBA – ku protestuesit pro-Trump vandalizuan Capitol Hill – dhe ata pyesin:Kush po fiton dhe kush po humb?

Natyrisht, Xi dhe Partia Komuniste Kineze, mund të jenë duke bërë llogari të gabuara. Shumë vende të ndryshme, po diskutojnë tani me njëri-tjetrin rreth mënyrave për të krijuar një kundër-ndikim kundër Pekinit.

Por për momentin, besimi i presidentit kinez është i dukshëm, ashtu si ambicia e tij. Xi gjendet në krye të partisë komuniste. Kjo e fundit ndodhet në krye të Kinës, dhe nëse Xi

do të ketë sukses në strategjinë e tij, Kina mund të gjendet së shpejti në krye të botës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Richard McGregor, anëtar në Institutin Lowy dhe autor i librit “Partia:Bota sekrete e sundimtarëve komunistë të Kinës”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!