Çfarë do të ndodhë tani në veri të Kosovës? Kurti: Gjithçka varet nga Beogradi

schedule14:15 - 1 Gusht, 2022

schedule 14:15 - 1 Gusht, 2022

Barrikadat në veri të vendit kanë nisur të hiqen, por kryeministri Albin Kurti thotë se nuk mund të parashikohet se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme në atë pjesë të vendit.

Kurti në një konferencë për media tha se konflikti është strehë për bandat kriminale në veri, ndërsa tha se beson se institucionet e vendit nuk do ta lajojnë destabilizimin e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Bandat kriminale janë jashtë ligjit dhe konflikti është strehë për ta. Ne disa gjëra mund t’i parashikojmë, disa nuk mundemi. Sepse ka edhe gjëra të tilla që nuk planifikohen fare në Kosovë, vetëm ekzekutohen në Kosovë. Por me organet tona të rendit dhe sigurisë, me bashkëpunimin tonë me partnerët ndërkombëtarë, unë besoj që nuk do të lejojmë destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim në baza etnike apo fetare”, tha ai.

Kurti tha se vullneti nga Qeveria është i mirë, por zhvillimet e radhës varen vetëm nga Beogradi, strukturat e të cilit tha se po nxiten për të krijuar trazira në Kosovë.

“Ne e kemi vullnetin e mirë. A do të ketë zhvillime agresive e të dhunshme të veri të Kosovës nuk varet nga Policia e Kosovës, nuk varet nga ministri i Brendshëm, nuk varet nga kryeministri. Unë do të thosha që nuk varet as nga qytetarët atje, por varet vetëm nga ato struktura që po financohen nga Beogradi dhe po nxiten prej tij për të bërë trazira në Kosovë”, tha kryeministri. /GazetaExpress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!