Çështja Tahiri, Krimet e Rënda administrojnë si provë vendimin e Katanias

schedule11:20 - 7 Nëntor, 2018

schedule 11:20 - 7 Nëntor, 2018

Prokuroria e Krimeve të Rënda administron si provë, vendimin e Gjykatës së Katanias për pushimin e hetimeve ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi u depozitua më 29 tetor nga vetë Tahiri dhe avokati i tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në atë vendim thuhet se Prokuroria e Katanias nuk gjeti prova që të mbështesnin pretendimet e anëtarëve të grupit Habilaj gjatë përgjimeve policore, për blerje dhuratash për Tahirin.

Ish-ministri e konsideroi atë vendim një provë vendimtare për hetimin e nisur ndaj tij në Shqipëri. Saimir Tahiri po hetohet në Shqipëri si garantues i grupit të Habilajve me akuzat pjesë e grupit të strukturuar të trafikut të drogës dhe për korrupsion. Më 15 tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda shtyu për herë të katërt, deri më 17 janar të vitit të ardhshëm afatin e hetimit ndaj ish ministrit të Brendshëm, me argumentin se mbeteshin në pritje të letër porosive të reja nga Mali i Zi dhe Italia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!