Republikanët akuzuan qeverinë amerikane për njëanshmëri kundër konservatorëve , kur dy sinjalizues dolën para Kongresit për të denoncuar mënyrën se si u krye një hetim penal ndaj djalit të Presidentit Joe Biden. Demokratët thonë se këto pretendime janë pa bazë.
Kundërshtarët e presidentit demokrat kanë akuzuar për pabarazi sistemin e drejtësisë lidhur me një marrëveshje për pranimin e fajësisë nga ana e Hunter Biden-it, çka bëri të mundur shmangien e një dënimi me burg për të.
Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve udhëhequr nga republikanët dëgjoi dëshmitë e dy zyrtarëve të agjencisë së taksave të cilët akuzuan Departamentin e Drejtësisë se zvarriti çështjen duke lënë të skadonte afati për ngritjen e akuzave ndaj djalit të presidentit dhe se e i dha atij një avantazh të padrejtë, duke i hapur rrugën “një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë” nga ana e tij.
Një nga sinjalizuesit, Gary Shapley, tha se Departamenti i Drejtësisë e kishte frenuar zgjerimin e hetimit ndaj 53-vjeçarit Biden, megjithëse prokurori i çështjes, David Weiss e mohon këtë.
Zoti Shapley tha se zotit Weiss, një prokuror amerikan në Delaware, i emëruar nga ish-presidenti Donald Trump në 2018, iu mohua statusi i “prokurorit të posaçëm” që do t’i jepte atij mundësi të ndiqte akuza më serioze ndaj djalit të presidentit Biden në Uashington dhe Kaliforni.
Zoti Shapley, i cili i paraqiti për herë të parë akuzat para një komisioni të posaçëm në fillim të këtij viti, përmendi disa raste kur tha se prokurorët kishin treguar hezitim për marrjen e hapave që mund të ndikonin në zgjedhjet e vitit 2020.
Sinjalizuesi tjetër Joseph Ziegler, u bëri jehonë shqetësimeve të zotit Shapley.
“M’u krijua përshtypja se Prokurori në Delaware ishte përballur vazhdimisht me kufizime dhe pengesa nga zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë dhe prokurorë të tjerë amerikanë,” tha zoti Ziegler.
Por argumentat e republikanëve janë hedhur poshtë vazhdimisht nga mohimet e zotit Weiss.
Një pjesë e ankesave datojnë gjithsesi në vitin 2020, kur zoti Trump ishte ende president. Zoti Weiss thotë se ai nuk kishte kërkuar kurrë statusin e prokurorit të posaçëm dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland i ka thënë Kongresit se prokurori i shtetit Delaware ishte krejtësisht i lirë të vepronte.
Seanca ishte pjesë e një fushate më të gjerë nga republikanët për të bindur votuesit se qeveria federale po përdoret për arsye politike kundër kundërshtarëve të zotit Biden dhe konservatorëve më gjerë.
Demokratët thonë se hetimet ndaj familjes dhe administratës së zotit Biden – të cilat ende nuk kanë gjetur prova për keqbërje nga presidenti – janë ndërmarrë për të ndihmuar politkisht zotin Trump, i cili po kandidon përsëri për presidencën ndërsa përballet me disa çështje penale./VOA