Kryeministri Edi Rama u nis ditën e djeshme në një vizite zyrtare në Itali për t’u takuar me homologun italian Mario Draghi. Kreu i qeverisë tha se në qendër të bisedimeve do të ishte çështja e pensioneve të shqiptarëve të Italisë, por mesa duket situata do të mbetet e njëjtë.
Gjatë konferencës për shtyp me Draghi-n, Rama tha vetëm se kishin biseduar përsëri, por nuk njoftoi asnjë rezultat.
Në një lidhje direkte me “Abc Live” me Juli Xhokaxhi Arbër Agalliu u shpreh nga Milano se shqiptarët janë një komunitet i rëndësishëm në Itali prej 30 vitesh tashmë, dhe kjo është një çështje që duhet të marrë zgjidhje.
“Janë 50 mijë ndërmarrje ta hapura këtu nga shtetas shqiptarë dhe derdhen miliarda euro në arkat e shtetit, por shqiptarët nuk fitojnë gjë nga sistemi i pensioneve.”
Ndërsa, Edmond Guri nga Athina tha se për fat të keq situata në Greqi sa i përket komunitetit mbetet ende shumë pas. Megjithatë, Guri shtoi se për mirë kanë ndryshuar marrëdhëniet e komunitetit me ambasadën.
“Shteti shqiptar ka ofruar një lehtësim të procedurave, për 24 orë marrim shërbim në ambasada. Ambasadorja e re është më pranë komunitetit, ka një ndryshim të dukshëm në marrëdhëniet komunitet-ambasadë. Ambasadorja ka preku edhe grupe delikate të shoqërisë, të burgosur, gra.” /abcnews.al/