Çështja e emrit, Zaev: Të gatshëm për ndryshime

schedule19:11 - 27 Shkurt, 2018

schedule 19:11 - 27 Shkurt, 2018

Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë ka arritur në një pikë kyçe. Kryeministri Zoran Zaev shprehet i gatshëm për lëshime, por paralajmëron se nuk do shkelë dinjitetin e maqedonasve.

Maqedonia ka parashtruar 4 opsione për zgjidhjen e kontestit disavjeçar të emrit me Greqinë. Kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Sugjerimet janë Republika e Maqedonisë Veriore, Republika e Maqedonisë së Epërme, Republika e Maqedonisë së Vardarit dhe Republika e Maqedonisë “Shkupi””, ka thënë Zaev pas samitit mbi Ballkanin perëndimor në Londër. I pyetur nëse Greqia është e kënaqur me këto alternativa, ai është përgjigjur: “Po, disa i kanë pëlqyer më shumë, të tjera më pak”. Sipas Zaev, thelbi i çështjes është nëse ekziston “nevoja reale” për të ndryshuar Kushtetutën e Maqedonisë, një kërkesë kjo e vazhdueshme e palës greke në muajt e fundit. Kërkesa e Athinës konsiston në hartimin e një amendamenti që përcakton referimin e termit “Republika e Maqedonisë” në Kushtetutën e fqinjit të saj.

Për Zaev, kjo është pjesa më e vështirë. “Sigurisht që ne shpresojmë të gjejmë një zgjidhje, por duhet të kujdesemi edhe për dinjitetin dhe identitetin tonë. Madje duhet ta bëjnë të dyja palët, sepse miqtë kujdesen për njëri-tjetrin”, ka thënë Zaev. Sidoqoftë, hapësirat për manovrime duket se ekzistojnë. “Ne jemi të përgatitur për të bërë një ndryshim, por nuk do të jetë një ndryshim i madh, sepse është shumë e vështirë”, ka shtuar Zaev. Në kuadër të negociatave, ministrat e Jashtëm të dy vendeve pritet të zhvillojnë bisedime, ndërkohë që kryeministrat Zaev dhe Tsipras kanë në plan të takohen në muajin Mars./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!