Ministrat e jashtëm të Shkupit dhe Athinës do të takohen të enjten dhe të premten në Nju Jork për të negociuar lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit. Nikos Kotzias u shpreh se Greqia nuk pranon asnjë lloj presioni nga Maqedonia.
Shkupi dhe Athina rifillojnë në Nju Jork një raund të ri negociatash për zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi u refuzua dhe oferta nga ana e Greqisë që Maqedonia të emërtohet si “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Ministrat e jashtëm, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias do të takohen të enjten dhe të premten në praninë e të dërguarit të posaçëm të OKB-së Matthew Nimetz. Ndërsa paralelisht do të mblidhen edhe grupet e ekspertëve.
Ministri i Jashtëm grek që ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara, tha se e diskutoi gjerësisht këtë çështje edhe me ndihmës sekretarin e shtetit për Euro-Azinë, Wess Mitchell.
“Nuk na bëhet asnjë presion dhe as pranojmë të na bëhet presion. Por pala amerikane interesohet jashtëzakonisht dhe po përpiqet të kuptojë se në ç’pikë ndodhen negociatat dhe cilat janë pikat e vështira”, u shpreh Kotzias.
Edhe pse nuk pritet që edhe këto bisedime të prodhojnë ndonjë rezultat përfundimtar, Athina dhe Shkupi përpiqet të përshpejtojnë kohën e negociatave. Kjo është dhe një dëshirë e partnerëve të fuqishëm. Pas telefonatës me nënpresidentin amerikan Mike Pence, kryeministrit Aleksis Tsipras biseduar sëfundmi edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel. Shefi i qeverisë greke njoftoi se Merkel shfaqi shumë interes për zgjidhjen e çështjes së emrit. /abcnews.al