N/kryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho e ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në “ABC” u shpreh se forca ku bën pjesë nuk kërkoi ndihmë nga PD-ja për të marrë “borxh” deputetë për të krijuar grup parlamentar. Deputetja tha se mungesa e grupit nuk e penalizon LSI-në për ngritjen e problemeve apo ndërmarrjen e nismave.
“LSI nuk e kërkoi. Ne nuk e kërkuam te PD-ja. Nuk krijon asnjë sens pozitiv apo na pengon, është më shumë një çështje organizative brenda parlamentit. Ne kemi të drejtë të jemi në komisione, të bëjmë diskutime, replika, apo nisma. Nuk përbën fare problem grupi parlamentar” tha ajo.
Por si do ta organizojë LSI-ja aksionin opozitar? “Padyshim që çdo lloj vendimi apo qasje që do të kemi do të jemi mendoj si PD, ka identitetin e saj edhe LSI ka identitetin e saj në qasjen ndaj problemeve të ndryshme. Interesi i parë është interesi publik.
Lexo edhe: Xhixho: S’kemi pasur propozim nga Partia Demokratike për lista të përbashkëta në zgjedhje
Cdo vendimmarrje që është për të favorizuar grupe të caktuara, vota e LSI-së do të jetë kundër edhe në vendosjen tonë në parlament ne jemi në krahun e opozitës. Bashkimi i votave me PD-në? Në cdo reformë do të ketë arsyetim dhe qasje korrekte” tha ajo.
Xhixho e pranoi se për aksionin kundër qeverisë duhet një PD, e fortë, por si e komenton deputetja e LSI-së debatin mes Bashës dhe Berishës brenda partisë më të madhe opozitare.
“Së pari më duhet të mbështetem në një parim, që çështjet e brendshme të një partie nuk komentohen. Çdo debat që fuqizon një parti opozitare është i mirëseardhur. Nuk dua të komentoj asnjë debat brenda PD-së. Është në diskrecionin e tyre për ta zgjidhur dhe si do të orientohen. Për mua është e rëndësishme opozita” përfundoi Xhixho./ db/Abcnews.al