Çështja Berisha, nesër akti final? Daci: Sistemi gjyqësor s’mund të sfidohet! Kaso: Pluralizmin po e zhbëjmë me duart tona

schedule21:04 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 21:04 - 20 Dhjetor, 2023

Në emisionin “Real Story” në ABC, juristi Jordan Daci tha se vendimet e gjykatës duhet të zbatohen dhe se drejtësia e sotme ishte modeli që i ka munguar vendit në këto 30 vite.

Gjatë bisedës në studio, juristi Daci gjithashtu u shpreh se SPAK përtej të gjitha problemeve që mund të ketë, ka arritur që të shkëpusë vendin nga papërgjegjësia duke i dhënë fund në njëfarë mënyrë, mosndëshkueshmërisë.

Ndërsa për përfaqësuesin ligjor të Rithemelimit, Ivi Kaso Gjykata Kushtetuese i mbylli derën deputetëve të opozitës, ndërsa theksoi se situata është shqetësuese pasi ka një precedent të ri dhe shumë të rrezikshëm për demokracinë.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Ivi Kaso: Vendimi i parlamentit ka qenë një vendim kohë rekord, me ngritje dore. Ka për ta bërë në kohë rekord.

Jordan Daci: Drejtësi pa viktima të pafajshme nuk ka. Por vendimet e gjykatës duhet të zbatohen. Ky model është ai që na mungon. SPAK përtej problemeve që ka, ka meritën e madhe që po na shkëput nga një periudhë e mungesës së përgjegjësisë dhe theu mitin që ka njerëz që mund të mos gjykohen.

Ivi Kaso: Glorifikimi i drejtësisë së re është bërë kohët e fundit. Unë nuk jam për të sakrifikuar asnjë të drejtë dhe asnjë liri kushtetuese sepse janë të fituar me gjak. Nëse ne pranojmë se duhet të  sakrifikojmë këto të drejta nuk jam dakord.

Jordan Daci: Çdo ndryshim që ndodh ka kosto, por ka edhe përfitimet e veta. Shoqëria ka interes që çdo person të gjykohet. Asnjë person nuk mund të bëhet pengesë për sistemi dhe sistemi do të duhet të jetë i përgjithshëm. Ne tani s’mund të sfidojmë sistemin gjyqësor.

Ivi Kaso: Kemi të bëjmë me një situatë të paprecedentë për të kënaqur pritshmërinë e sponsorizuar edhe nga mazhoranca. Kemi një spektakël të dështuar, por më e rëndë është fakti se kemi një precedent shumë të rrezikshëm për demokracinë. Kemi një opozitë që vetëm javën e fundit, dy instrumentet e veta kryesore, të drejtën për t’u drejtuar në Gjykatë Kushtetuese dhe për të ngritur Komisionet Hetimore, janë fshirë. Dhe ky pluralizmi që kanë luftuar breza të tërë me radhë, po e zhbëjmë me duart tona dhe për fat të keq duke u duartrokitur.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!