HIMARË- Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ka folur pas konstituimit të këshillit Bashkiak në Himarë. Ai tha se Fredi Beleri po mbahet në burg, pas asnjë provë, por me urdhër të kryeministrit Edi Rama
“Pa fakte dhe pa prova, për rreth dy muaj, është nën pengmarrjen e z. Rama. Pa ju dhënë e drejta e garantuar kushtetuese për të marrë përsipër atë që i ngarkoi sovrani , kreun e bashkisë së Himarës. Nuk pranuan as të lexojnë vendimin e gjykatës së faktit të Juridiksionit të Vlorës, për vlefshmërinë mandati të z. Beleri. E kuptoni, e shikoni dhe të gjithë bashkëqytetarët le të nxjerrin konkluzionin”, tha ai.
Ai tha se do të vijojnë betejën e tyre politike në të gjitha instancat ligjore brenda dhe jashtë vendit. Sipas tij, demokracia dhe shtetit i së drejtës janë në rrezik dhe kjo duhet kuptuar nga të gjithë.
“Ne do të vazhdojmë politikisht betejën tonë në të gjitha instancat brenda dha jashtë vendit. Demokracia dhe shteti i së drejtës janë në rrezik dhe po nuk e kuptuam tani nesër do të jetë vonë. Ne do ti shkojmë deri në fund Beleri ka fituar dhe në fund do të triumfoje. Jemi krenar që kontribuojmë për demokracinë”, tha ai.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi, ishte prezente në mbledhjen konstituive, ndërsa në përfundim të saj foli për mediat duke shprehur pakënaqësi për faktin se pse Belerit nuk iu lejua të merrte pjesën në ceremoninë e betimit.
Ajo tha se kjo përbën një goditje të madhe për parimet e shtetit të së drejtës. Diplomatja greke tha se Beleri është zgjedhur në mënyrë demokratike si kryetar i Bashkisë së Himarës.
“Mungesa sot, nga mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Himarë, e Kryetarit të zgjedhur në mënyrë demokratike Fredi Beleri, përbën goditje të madhe në shtetin e së drejtës dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Do të ishte regres i madh në përpjekjet reformuese të Shqipërisë në fushën e shtetit të së drejtës, të humbasë të drejtën e kryerjes së detyrave të tij një kryetar bashkie i zgjedhur në mënyrë demokratike, ndaj të cilit as nuk rëndojne akuza dhe i cili nuk është gjykuar dhe dënuar. BE është mbi të gjitha komunitet parimesh, parime të cilat do të duhet të zbatojë çdo vend që dëshiron të bëhet anëtar i tij”, theksoi ajo.
Fredi Belerit iu refuzua kërkesa nga ana e Gjykatës dhe nga Drejtoria e Burgjeve që të merrte pjesë në ceremoninë e betimin si kryetar i bashkisë Himarë. Ai u arrestua dy dytë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, ndërsa akuzohet për shit-blerje votash./ n.m.abcnews.al