Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj akuzave të opozitës lidhur me çështjen e Belinda Ballukut gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit. Balla theksoi se qëndrimi i grupit parlamentar dhe i kryetares së Kuvendit është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, duke garantuar respektimin e afateve që lidhen me funksionimin e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve.
Ai sqaroi se vendimmarrja është kushtëzuar nga fakti se çështja ndodhet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa nënvizoi se Këshilli i Mandateve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën, në vijim të adresimit të qëndrimit të shprehur nga Gjykata.
“Tre gjëra që i kemi bërë publike, por që duhen ripërsëritur në këtë seancë, e para qëndrimi i grupit parlamentar dhe në radhë të parë të kryetarit të Kuvendit është tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit sa i takon respektimi të plotë të të gjitha afateve që kanë të bëjnë me këshillin e rregullores.
Kuvendi i Shqipërisë, këshilli ka një kohë të përcaktuar prej 3 muajsh. Vendimmarrja e marrë në këshill dhe e komentuar nga kryetari i Kuvendit qartazi ka thënë se sa kohë kishte një çështje në Gjykatën Kushtetuese ku palë e përfshirë ishte i përfshirë Kuvendi ishim i detyruar që të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jemi në kushtet ku Gjykata nuk ka pasur një vendim dhe edhe pse tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë palës kërkuese kryeministrit Edi Rama se ka ndërhyrje në kompetencat e pushteteve.
Nisur nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka asnjë dyshim që Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën. Ndërkohë që siç e kemi bërë publike ne do të vijojmë me një proces adresimi ndaj asaj që ka thënë Gjykata Kushtetuese”, tha Balla.


